Shqipëri: 11 urdhërarreste të tjera për aferën e impiantit të mbetjeve

20:09 | 16 Nëntor 2022
KRG

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri lëshoi 11 urdhërarreste, pesë prej të cilave u ekzekutuan, në kuadër të hetimit për impiantin për trajtimin e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë në Fier.

Kjo në Shqipëri njihet si afera e inceneratorit të Fierit.

Në njoftimin për media të 16 nëntorit, SPAK tha se kompanitë e përfshira në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e impiantit kanë përfituar 4 milionë euro për punë dhe shërbime që nuk janë kryer asnjëherë.

Ndërsa afro 510 mijë euro është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit me skemën e mashtrimit me TVSH-në, duke bërë faturime fiktive.

Mes të arrestuarve është edhe Arben Dervishi, ndërtues dhe aktualisht zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më herët ai ka qënë sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.

Hetimet kanë treguar se Dervishi, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, e cila e ndërtoi impiantin, ka miratuar dhe dorëzuar pranë institucioneve shtetërore dokumente të falsifikuara për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë blerë, duke i garantuar kompanisë përfitime në vlerë 4 milionë euro.

Gjithashtu sipas hetimeve, për këto shërbime, Dervishi ka marrë nga Klodian Zoto, aksioner kryesor i kompanisë, përfitime si: udhëtime private jashtë Shqipërisë, bileta avioni, qëndrim në hotele dhe bileta të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.

Sipas SPAK-ut kompania përfituese për ndërtimin, dhe ajo zbatuese e projektit, kanë dorëzuar fatura fiktive për kompani të tjera, për shërbime që nuk janë kryer, në vlerë të mijëra eurove, që në fakt i ka përfituar ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, aktualisht në burg për këtë çështje.

Këto para janë përfituar në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”.

Ndërkaq 1.2 milionë euro, janë provuar se janë përfituar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako.

Hetimet kanë treguar se ky fond është lëvruar nga ministria e Mjedisit, ku më herët Bllako ka qënë sekretar i Përgjithshëm, tek kompania përfituese. Kjo e fundit ia ka kaluar si pagesë babait të ish-deputetit me argumentin se ishte i punësuar si drejtor kantieri.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako ndodhen në burg të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me procedurat e dhënies së koncesionit për impiantin e Fierit.

Veç pesë të arrestuarve, gjashtë të tjerë janë shpallur sot në kërkim, ndërsa në total numri i personave të përfshirë në këtë aferë shkon në 21.

Aksioneri kryesor i kompanisë, Klodian Zoto, është shpallur në kërkim prej një viti.

Partia Demokratike (PD) dhe Partia e Lirisë kanë dorëzuar padi në SPAK për çështjen e impianteve, jo vetëm të Fierit, por edhe Tiranës dhe Elbasanit. Përfaqësues të opozitës reaguan sot pas arrestimeve të reja duke deklaruar se “SPAK nuk doli dot mbi pushtetin dhe se ata që kanë ideuar, dhe miratuar skemën janë të qetë nën kostumin e paprekshmërisë.”

Kallëzimi i parë në SPAK për impiantin e Fierit është bërë në qershor të vitit 2020 nga Lëvizja Nisma Thurje, që akuzoi Qeverinë se është kompromentuar në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë ku do ndërtohej në atë kohë impianti.

Më pas PD-ja dhe LSI-ja kanë bërë disa kallëzime në SPAK duke akuzuar se e njëjta skemë mashtrimi është përdorur për tri impiantet, në Fier, Tiranë dhe Elbasan.

PD-ja madje akuzoi kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetajn, për grup të strukturuar kriminal.

SPAK-u po i heton në tri çështje të veçanta këto kallëzime.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ishte ish-zyrtari i parë i lartë që u arrestua më 14 dhjetor 2021 për çështjen e impianteve, nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Ndërsa më 31 mars 2022, u arrestua Alqi Bllako, deri në atë kohë deputet i PS-së, ndërsa më herët kishte mbajtur postin e sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit dhe më pas drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Biznesmenët që fshihen pas kësaj afere për tri impiantet janë Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja (bashkëjetuesja e Mërtirit) të cilët janë të shpallur në kërkim nga policia./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme