Google ADS

Shpërthimi me tritol, merret në mbrojtje gjyqtari i Shkodrës

18:23 | 29 Prill 2024
KRG

Në Shqipëri, Këshilli të Lartë Gjyqësor, vendosi sot t’i ofrojë mbrojtje, gjyqtarit të Shkodrës Tonin Stërkaj, pas shpërthimit të tritolit në derën e jashtme të banesës së tij, gjatë orëve të natës duke u gdhirë e diela. Për të paktën 6 muajt e ardhshëm, gjyqtari Stërkaj dhe familja e tij do të shoqërohen nga efektivë të Gardës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, e dënoi menjëherë ngjarjen duke e cilësuar atë “një akt kriminal” e duke shprehur shqetësim se situate të tilla “cënojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare”. Në deklaratën e djeshme, Këshilli kërkoi zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave të përfshirë.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili mori sot pjesë në mbledhjen në KLGJ ku u ofrua mbrojtje e veçantë për gjyqtarin Stërkaj, deklaroi se kjo ngjarje do të jetë një test për Drektorinë e policisë së Shkodrës pasi sipas tij “na duhet shumë të japim një mesazh ndaj gjithkujt, që mundohet të intimidojë me forma të ndryshme sistemin gjyqësor në këtë vend, qofshin magjistratë apo prokurorë”.

Pamjet e bëra publike tregojnë një person të veshur me të zeza dhe kapuç, i cili pasi vendos lëndën plasëse pranë derës së banesës së gjyqtarit, largohet me shpejtësi, ndërsa shpërthimi ndodh pak sekonda më pas, duke shkatuar vetëm disa dëme materiale.

Vetë gjyqtari Stërkaj, i tha dje Zërit të Amerikës se dyshon se ngjarja ka lidhje me ushtrimin e detyrës së tij si gjyqtar dhe se gjatë 30 viteve të karrierës së tij, nuk ka pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë.

Për shpërthimin e djeshëm reagoi gjatë ditës së sotme dhe Delegacioni i Bashkimit europian duke “dënuar ashpër sulmin e bërë së fundmi ndaj një gjyqtari në Shqipëri. Siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruhej në postimin e Delegacionit të BE-së në rrjetet sociale.

Më herët dhe Unioni i gjyqtarëve të Shqipërisë dënoi “këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi”./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme