Shoqëria civile, protestë para kryeministrisë: Kundër arrogancës, dhunës dhe koncesioneve

16:12 | 7 Prill 2018
Arbresh.info

Gjithmonë e më shumë rrjetet sociale po kthehen në kanalin kryesor dhe të vetëm që paralajmërojnë protestat qytetare.

E tillë ishte edhe protesta e radhës, e njoftuar në Facebook nga Shoqëria Civile, me ftesë për të reaguar në orën 12:00 nga parku “Rinia” deri para kryeministrisë. Duke marrë shkas nga arrestimi i 23 kuksianëve që protestuan ndaj taksës në “Rrugën e Kombit”, kryefjala e protestës ishte “Më arresto edhe mua”.

“Është publikuar nëpër rrjetet sociale dhe qytetarët janë vetëorganizuar. Janë fillimet e organizimeve të tilla dhe nuk mund të prisnim 100 000 persona”, theksoi avokati Adriatik Lapaj.

Ndërsa aktivisti Besjan Pesha shprehet: “Duam të japim mesazhin që revolta shkon përtej Kukësit, për këtë mënyrë të qeverisuri”.

Por, përveç këtyre thirrjeve dhe pankartave që kundërshtojnë arbitraritetin, një mjet tjetër proteste tashmë është edhe telefoni. Dikush e përdor për të raportuar në kohë rekord, një tjetër për “selfie” dhe shumë të tjerë sepse janë në detyrë.

Bashkë me qytetarët që protestuan para kryeministrisë, sipas ftesës së marrë në Facebook, ishte edhe Vivian Golemi, student dhe njohës i mirë i teknologjisë.

“Erdha që të protestoj ndaj kësaj qeverie arrogante që po e mbyt popullin me taksa”, nënvizon Golemi.

Protesta e shoqërisë civile kësaj radhe ishte kundër taksave dhe për qytetarët. Edhe për dy punëtorë kureshtarë që ndodheshin në punë edhe të shtunën dhe që e ndoqën nga dritaret atë çfarë ndodhi në bulevardin e protestave./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme