Shoqata e invalidëve të punës së Shqipërisë, protestoi para ministrisë së Financave

11:16 | 14 Tetor 2022
Vjollca Gajraku

Shoqata e invalidëve të punës në Shqipëri ditën e sotme ka protestuar para ministrisë së Financave.

Kreu i Shoqatës, Abdulla Omuri, u shpreh se kanë mbetur pa asnjë mbështetje nga qeveria.

Ai theksoi se ministrisë së Financave i janë dërguar mbi 12 shkresa, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“MF nuk pranoi asnjëherë sugjerimet tona. Ne që kemi punuar në miniera askush nuk e mendon se çfarë kemi hequr.

Ne kemi dërguar mbi 12 shkresa dhe e fundit ka qenë më datë 12 shtator, akoma asnjë përgjigje, pse?

Me ju thanë se nuk dinë të shkruajnë, jo sepse “Facebook” e përdorin bukur, por nuk duan. Pensionet e pleqërisë janë më të mëdha se pensionet e invaliditetit, përse. Këto të MF si nuk u vjen pa zor, ju e keni parë që MF rimburson kompani për të kryer shërbime dhe që këto shërbime nuk i kryen.

A ju vjen pak zor, të rimburson çimento, po ne që kemi kontribuuar një jetë të tërë”, tha ai.

Ndërsa një nga përfaqësuesit e shoqatës tha se do të presin ministrinë e Financave për diskutime deri më 20 nëntor. Më pas, ai tha se do të përshkallëzojnë protestën.

“Sot është fillimi, e kemi parë të vështirë se kemi mendjen e logjikën. Ju lutem ne do presim Ministrinë e Financave për të diskutuar deri më 20 nëntor, më 20 nëntor nuk presim më për të drejtat tona. Kjo do jetë e paraparë në varësi të ngjarjeve që do ndodhin.

Të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Duhet të vlerësohemi e të kemi mbështetjen. Pas një muaji ne do jemi 10 fish më shumë se kaq, do shtohen karrocat, ne sot jemi me paterica kolegët tanë do vijnë me krevate me karroca këtu. U bëj thirrje të shkunden nga vendi se nuk është e lehtë për të përfaqësuar problemet sociale duke shkelur ligjet e duke marrë vendime në absurditet.

Ku na pyetën ne si e keni hallin kanë siguruar xhepin e tyre. Ne do jemi gati të protestojmë çdo ditë në mënyrë paqësore. Nuk jemi për të ofenduar e sharë askënd.

Kolegu jonë në Maqedoni apo Mal të zi me 470 euro? Vetëm Kosova nisi që në shtator të ndihmojë shtresat në nevojë me 100 euro pse nuk e heqin nga 1 mijë lekë nga rroga e tyre? Pas afatit që lamë ne do veprojmë dhe me më shumë forca”, tha përfaqësuesi i shoqatës./Abc/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme