Shkuan në Angli për jetë më të mirë dhe përfunduan në burg

21:56 | 9 Mars 2019
Trina Galanxhi

Tre shqiptarë janë dënuar me burgim nga një gjykatë britanike për drogë. Ata akuzohen për kultivim kanabisi me vlerë 130 mijë Paund. Islam Gjuta 23 vjeç, Lumjan Matmuja 30 vjeç dhe Valbona Furiku 32 vjeç janë dënuar në total me 4.3 vite burgim. Aktiviteti i tyre ilegal u zbulua nga Dhjetori 2018 deri më 7 Janar 2019 në qytetin e Leeds.

Më 6 Dhjetor, Islam Gjuta po udhëtonte me makinë kur u ndalua për kontroll nga policia. Ai u dha oficerëve një patentë të rremë. Megjithatë u la i lirë që të vazhdonte. Hetuesit po e mbanin nën vëzhgim dhe katër ditë më vonë e panë duke dalë nga banesa e tij me një qese të madhe. Më pas hyri në shtëpinë e Lumjan Matmujas me dy çanta të mëdha. Gjatë kontrolleve në këto dy banesa, policia gjeti ambiente të përshtatura për kultivim kanabisi. Në gjykatë u tha se një prej tyre u ndalua më vonë gjatë asaj dite duke transportuar me makinë një sasi kanabisi me vlerë 10 mijë Paund. Bimë narkotike u gjetën gjithashtu edhe në shtëpinë e Valbona Furikut.

Të tre shqiptarët u shpallën fajtorë për kultivim të kanabisit. Gjuta dhe Matmuja u dënuan për kultivim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike dhe falsifikim të dokumenteve. Islam Gjuta posedonte patentë bullgare, patentë rumune dhe një kartë identiteti rumune. Ndërsa Lumjan Matmuja posedonte një kartë identiteti rumune. Asnjë nga të dënuarit nuk kishte dënime të mëparshme.

Avokati i Gjutës tha se klienti i tij punonte në ndërtim dhe ka borxhe. Avokati i Lumjan Matmuja i tha trupës gjykuese se ai është kopshtar. Ndërsa avokati i Valbona Furikut u shpreh se klientja e tij është një infermiere e cila nuk ka mundur të gjejë punë në Shqipëri dhe emigroi në Britani për një jetë më të mirë. Sipas tij, ajo kishte marrë hua nga familja për të shkuar në Angli me dokumente të rreme.

Në përfundim, Islam Gjuta u dënua me 3 vjet burgim, Lumjan Matmuja me 9 muaj burg dhe Valbona Furika me 6 muaj. /tvklan.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme