Google ADS

Shkodër, përkujtohen të vrarët në kufi gjatë diktaturës komuniste

21:43 | 16 Qershor 2024
E.G

Familjarë të të vrarëve në kufi, së bashku me ish të burgosur politikë, përkujtuan sot në Shkodër 16 qershorin e vitit 1990, Ditën e të Vrarëve në Kufi nga regjimi komunist.

Në këtë ditë, në pikën kufitare “Hani Hotit”, në Malësi të Madhe, forcat kufitare vranë 17 vjeçarin Pëllumb Pëllumbi, gjatë përpjekjes së tij për të kaluar ilegalisht kufirin në drejtim të ish Jugosllavisë. Vrasja e 17 vjeçarit Pëllumbi zgjoi revoltën e të rinjve shkodranë, të cilët dolën në rrugët e qytetit duke protestuar me thirrje kundër diktaturës dhe regjimit të kohës.

Zenel Drangu, i cili drejton Shoqatën e ish të Burgosurve Poltikë në Shkodër tha se diktatura komuniste, në fundin e saj, i mashtroi të rinjtë dhe i vrau në kufi ndërsa tentonin të shkonin drejt lirisë.

“Në vitin 1990 ndryshoi ligji. Nga 10-25 vite burgim që ishte për tentativë arratisje, ndryshoi në kalim të paligjshëm që dënohej 3-5 vite burgim. Atëherë, shumë të rinj vendosën që ta provojnë fatin, por e keqja ishte se i kapën në kufi, i kapën gjallë dhe, mbasi i torturuan, i vranë”, thotë ai.

Në maj të vitit 1990, Gjekë Beqi së bashku me vëllain e tij Vatë Beqin tentuan të kalojnë kufirin, por forcat kufitare i diktuan dhe qëlluan ndaj tyre. Gjeka u plagos ndërsa vëllai i tij u vra.

“Me 18 maj, duke u arratisur për në Jugosllavi bashkë me vëllain tim, të cilin e kanë vra po atë ditë përpara meje, unë u plagosa dhe përfundova në spital. Të gjithë këtu ishin të burgosur, ishte një burg i madh 28 mijë kilometra. Po disa nuk e duronin këtë lloj burgu, disa e pësuan fatalisht si vëllai im dhe Pëllumb Pëllumbi”, thotë ai.

Gjeka tregon se si regjimi i kohës, në përpjekje për të frenuar arratisjet e të rinjve jashtë kufijve, përdori dhunë, vrasje dhe masakra, duke terrorizuar shqiptarët që kërkonin të iknin drejt lirisë.

“Dy djem të rinj, Dodë Gjerkajn dhe Gjon Kumbullakun, i kanë vrarë në kufi në Pentar, i kanë lidhur mbrapa në spondat e makinës ushtarake dhe kanë terrorizuar gjithë qytetin e Shkodrës, duke i thënë qytetarëve dhe kalimtarëve të rrugës se kështu jua bëjmë atyre që tentojnë të ikin”, thotë ai.

Drejtuesi i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë, Zenel Drangu, i cili vuajti shumë vite në ish burgun famëkeq të Spaçit, pas tentativës për arratisje, apeloi për gjetjen e vendvarrimit të shumë shqiptarëve, të vrarë nga diktatura për shkak të bindjeve politike.

“500 të vrarëve ende nuk ju janë gjetur eshtrat. Pra, një apel qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme që të tregojë ku është kryer vrasja e tyre, ku i kanë groposë, pasi është e drejtë e familjarëve që të kenë një varr dhe të çojnë një tufë lule”, thotë ai.

Gjatë viteve të diktaturës, duke filluar nga vitit 1949, rreth 1000 shqiptarë u vranë në kufi, ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht jashtë vendit në kërkim të lirisë. Vetëm në vitin 1990, kur diktaturës po i vinte fundi, u vranë në kufi 54 persona, pjesa më e madhe të rinj e të reja./voa/

Të ngjashme