Në konferencën e parë rajonale “ Menaxhimi i integruar i pyjeve përgjatë basenit të Lumit Drin”, mbajtur në Shkodër, ekspertët e mjedisit nga Shqipëria, Kosova, Mali Zi dhe Maqedonia e Veriut ngriten shqetësimin mbi gjendjen e pellgut më të madh ujor të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Me një gjatësi prej 285 kilometrash dhe sipërfaqe të përgjithshme të pellgut prej 14173 km2, Drini është një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore për katër vendet e rajonit, ndaj, sipas ekspertit të mjedisit, Mark Rupa, nga organizata CNVP, “Mbrojmë vlerat e natyrës dhe njerëzit”, të katër vendet po përballen me të njëjtat problematika në menaxhimin e situatës përgjatë pellgut ujor të Drinit.
Transformimet e frikshme që ky basen ka pasur, sidomos gjatë 50 viteve të fundit, sidomos nga ndërtimi i digave, nga zjarret në pyje, prerjet ilegale, braktisjen e territorit nga njerëzit, kërkon marrjen e masave urgjente.”
Sipas ekspertit Kliti Starja, drejtor i analizës së performancës në Agjencinë Kombëtare të Pyjeve të Shqipërisë, problematikat në pellgun ujëmbledhës të Drinit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e rajonit verior të Shqipërisë, por edhe në të ardhmen e hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit, të cilët janë ndërtuar mbi kaskadën e Drinit.
“Duke qenë që kemi degradim të sipërfaqeve pyjore, mbase si pasojë e keqmenaxhimit, por kryesisht si pasojë e zjarreve, një efekt ky i lidhur po me ndryshimet klimatike, do të thotë se është rritur erozioni i basenit dhe do kemi mbushje më të shpejta të hidrocentraleve që në Shqipëri ndodhen mbi këtë lum. Dhe ne kemi edhe sfidat e energjisë që lidhen me pellgun ujëmbledhës të Drinit”.
Në Shqipëri, Sipas INSTAT, gjatë 10 viteve të fundit janë djegur nga zjarret 23 815 hektarë me pyje dhe kullota, një pjesë e madhe në zonën veriore të vendit ku shtrihet edhe pellgu ujor i lumit Drin.
Me ndryshimet klimatike të viteve të fundit, thotë eksperti Starja, edhe në sektorin e pyjeve sfidat janë globale, ndaj dhe zgjidhjet duhet të jenë të bashkërenduara ndërmjet vendeve të rajonit, për t’ju përgjigjur në kohë ndryshimeve klimatike.
Pellgu i Drinit, sipas ekspertit nga Kosova Tahir Ahmeti, drejtor i departamentit të pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë së Kosovës, përbën gati gjysmën e territorit të Kosovës dhe aty gjenden burimet kryesore pyjore, çka e bën atë një nga vlerat më të rëndësishme natyrore dhe ekonomike. Duke qenë se krenohemi që jemi të parët e rrjedhave të Drinit, thote ai, na takon që të marrim edhe përgjegjësitë për ndotjet, por edhe për rastet e keqmanaxhimit që ndodhin në shtratin e Lumit Drin.
“Besoj që problemi kryesor është erozioni, dheu, gurët, materialet e tjera që i bart Drini dhe që depozitohen përrreth tij. Ka një histori të gjatë të kësaj problematike në Kosovë. Menjëherë mbas luftës, i vetmi burim i materialit për ndërtim, i rërës, zhavorit, është marrë nga Drini. Kjo e ka degradu tej mase shtratin e lumit, por kësaj i kanë ndihmu edhe prerjet ilegale që kanë ndodhur në pyje.”
Në Konferencën e parë rajonale “Menaxhimi i integruar i pyjeve përgjatë basenit të Lumit Drin” ekspertët theksuan faktin se, pasojat e keqmenaxhimit, ndërhyrjeve të njëanshme në ekosistem dhe dëmtimeve të shkaktuara në këtë pellg ujor nga ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet njerëzore, sjellin pasoja për të katër vendet e rajonit përnga përshkohet Drini.
Rëndësia që paraqet pellgu i Drinit ka nxitur organizatën CNVP që, me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim, të ndërmarrë projektin trevjeçar për menaxhimin e integruar të sipërfaqeve pyjore në zonën ujëmbledhëse ndërkufitare të Lumit Drin, që shtrihet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke harmonizuar politikat e zhvillimit dhe duke promovuar përfshirjen e komuniteteve lokale në mirëmenaxhimin e integruar të ekosistemit natyror të këtij lumi të përbashkët./VOA
Në Podujevë vendoset gurthemeli për ndërtimin e Shkollës së ...
32-vjeçari intervistohet nga policia për gjuajtje me armë zj...
“Po të lë anash”, Driloni e Anisa flasin për lojë
Shkup, arrestime e reagime pas një incidenti me flamurin maq...
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës