Prokurori i Tiranës Adriatik Cama nuk e kalon Vetingun dhe shkarkohet nga detyra e tij. Vendimi sapo u shpall nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit drejtuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Suela Zhegu.
Prokurori gjatë seancës përball me akuzat për burime të pamjaftueshme dhe deklarata kontradiktore të pasurisë, përfshirje në korrupsion dhe kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar. Cama hodhi poshtë akuzat dhe kërkoi që ta lejonin të vazhdonte detyrën.
Sekondat e gjata të heshtjes në fillim të seancës dëgjimore paralajmëruan raportin që do të lexohej më vonë: një listë e gjatë “e zezë” me burimet e pamjaftueshme të pasurisë, me dyshimet për përfshirje në korrupsion, kontakte të papërshtatshme dhe vendimmarrje të diskutueshme të prokurorit të Tiranës, Adriatik Cama, shkruan Reporter.al
Cama është ndër të parët prokurorë të shkallës së Parë që përballet me procesin e vetingut për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha atij notë ngelëse të mërkurën për të tria kriteret e rivlerësimit.
Prokurori Cama, i pranishëm dhe i pashoqëruar nga ndonjë avokat i cilësoi të padrejta rezulatet e hetimit administrative kundër tij.
Sa i përket kriterit të pasurisë, relatorja Qirko vlerësoi se subjekti kishte deklarim të pasaktë dhe kontradiktor për apartamentin me sipërfaqe 76 metra katrorë, të shlyer plotësisht në vitin 2003. Në deklaratën e vitit 2003, subjekti e kishte deklaruar këtë pronë me vlerë 2.4 milionë lekë, ndërsa në deklaratën “Veting” 3.4 milionë lekë. Relatorja e çështjes tha se kontrata e blerjes së apartamentit nuk përputhej me asnjërin prej deklarimeve dhe kishte si vlerë rreth 34 900 dollarë, kontradita që sipas saj “cenojnë rëndë figurën e prokurorit”.
Një problem tjetër i evidentuar është blerja e një pasurie të shënuar “ish-parkim garazh” në deklaratë dhe “dyqan” në kontratën e shit-blerjes. Sipas Komisionit, prokurori Cama nuk ka pasur burime të mjaftueshme për blerjen e kësaj pasurie.
Komisioni ka evidentuar gjithashtu burime të pamjaftueshme për blerjen e një makine, mosdeklarimin e një llogarie bankare dhe kreditimin e llogarisë së tij dhe të bashkëshortes në shuma të ndryshme nga persona të afërm përgjatë 10 viteve.
Në një raport të dorëzuar në KPK, edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka rrëzuar prokurorin Cama si të papërshtatshëm dhe të përfshirë në korrupsion. Të dhënat e prezantuara në seancën dëgjimore, të cilat ishin deklasifikuar pjesërisht, flasin për një denoncim të kohës kur Cama ishte drejtues i Prokurorisë së Lushnjes.
“Së bashku me një prokuror tjetër, subjekti ka kërkuar dhe ka marrë mitë nga familjari i një personi të ndaluar për kontrabandë,” tha relatorja e çështjes.
E njëjta histori preku edhe kriterin e aftësive profesionale të subjektit, pasi relacioni shpjegoi më tej se në cilësinë e Prokurorit të rrethit, Cama zëvendësoi prokuroren që kishte çështjen me një prokuror tjetër. Prokurori zëvendësues e pushoi procedimin penal në vitin 2005, vendim ky që është anuluar më pas nga Prokuroria e Përgjithshme me argumentin se nuk ishte bërë një hetim i plotë.
Relatorja Qirko tha se KPK kishte hetuar mbi raportin e DSIK dhe kishte arritur në përfundimin se “subjekti ka kontakte të papërshtatshme, duke shkëmbyer dhurata dhe favore me persona të përfshirë në krimin e organizuar”. KPK ka evidentuar gjithashtu përfshirje në korrupsion, së bashku me një prokuror tjetër.
Si në kërkesat e tij paraprake ashtu edhe në sallë, Cama kërkoi që personi që e kishte denoncuar për korrupsion duhej të dëshmonte para KPK-së, kërkesë kjo e rrëzuar.
“E kundërshtoj me forcë raportin për kontrollin e figurës. Kam kërkuar që personi të vijë dhe të dëshmojë nëse i kam kërkuar para. Unë nuk bëhem pre e personave që më sulmojnë për qëllime të tjera. Kam punuar me ndërshmëri dhe profesionalizëm,” tha me tone emocionale prokurori Cama.
Cama kritikoi gjithashtu gjetjet e KPK-së për pasurinë, deklaroi se kishte qenë i kursyer gjatë gjithë jetës së tij, përforcoi deklarimet se objekti i blerë prej tij është “ish-parkim, nëntokë dhe pa ndriçim dhe jo dyqan” si dhe dha shpjegime për një llogari bankare të padeklaruar si dhe ato që ai i quajti kreditime dhe jo financime nga familjarët e tij.
“Depozita është krijuar për një moment të caktuar me qëllimin e garancisë për vizë dhe 3 mijë nga katër mijë eurot janë tërhequr sërish prej saj,” tha Cama. Ndërsa kreditimet e llogarisë së tij dhe të bashkëshortes për një periudhë 10-vjeçare ai i lidhi me ndihmën në shuma të vogla parash që u kishin dhënë fëmijëve të kunatës që jetonin në Tiranë dhe kthimin e këtyre borxheve në periudha të caktuara përmes derdhjes në llogaritë bankare.
Subjekti i rivlerësimit komentoi gjithashtu vendimarrjen e tij si drejtues i prokurorisë së Lushnjes dhe tha se e kishte larguar prokuroren nga çështja pasi ishte njoftuar nga policia se masa e sigurisë bëhej me qëllim presioni. Ai pranoi se mund të ishin bërë hetime më të thella për çështjen, por konfirmoi vullnetin e tij të mirë me caktimin e një magjistrati për hetimin.
Cama evokoi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vështirësitë e kryerjes së detyrës, edhe në kushtet e rënies së shtetit në vitin 1997, për të cilën ai tha se punonte në Delvinë dhe çoi në burg bandat e armatosura.
“Prova ime e zjarrit është dhënë kur duhej dhënë. Unë nuk mund të pranoj të penalizohem nga dëshmia e dikujt, për diçka që s’e kam bërë dhe as të pranoj të cenohet integriteti im. Kërkoj rikonfirmimin në detyrë për të vazhduar detyrën dhe qëllimin që i kam vënë vetes për t’i qëndruar besnik ligjit,” tha në fund të seancës Cama./Reporter.al
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...