Sherri me grushte e shkelma në Palasë, policia shpall në kërkim edhe dy persona të tjerë

22:15 | 27 Gusht 2024
A B

Policia ka shpallur në kërkim dy persona lidhur me sherrin e ndodhur dy ditë më parë në Palasë, rreth orës 02:20 të mëngjesit të 25 gushtit.

Sipas policisë, në kërkim janë shpallur shtetasit me iniciale F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Policia bën të ditur se ka rënë në gjurmët e autorëve pasi ka këqyrur  kamerat e sigurisë që tregonin për dhunën e ushtruar në kompleks dhe verifikimeve të kryera.

Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se: Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë. Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve: F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, sipas policisë nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkaq, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme./rtsh/

 

Të ngjashme