Sherr në familje, policia vjen para se 38 vjeçari të zbrazë kallashin mbi të vëllanë

17:49 | 1 Shtator 2018
Arditë Shkodra

Një ngjarje që mund të kishte pasoja tragjike është parandaluar këtë të shtunë nga ana e policisë në fshatin Shtëpanj të Cërrikut, atje ku një sherr mes dy vëllezërve ka degjeneruar në përdorimin e armës.

Njëri prej dy vëllezërve, pas një sherri për motive banale, i është drejtuar shtëpisë për të marrë një kallashnikov. Pak momente përpara se arma të shkrepej ka ndërhyrë policia. Me të parë uniformat blu, shtetasi me inicialet T.H, 38 vjeç, ka ulur armën dhe është dorëzuar.

Njoftimi i Policisë:

Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me pasoja.

Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon një konflikt për motive të dobëta midis midis 2 vëllezërve, ku mund të përdorej edhe arma e zjarrit.

Arrestohet në flagrancë nga Policia, njëri nga vëllezërit, i cili në momentin që ka mbritur Policia ka hedhur armën e zjarrit jashtë banesës.

Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Cërrik, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Shtëpanj, po ndodh një konflikt mes 2 vëllezërve, ku një prej tyre kishte armë zjarri dhe mund ta përdorte.

Menjëherë në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, ku falë reagimit të shpejtë të mirëorganizuar, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit:

T.H 38 vjeç, banues në fshatin Shtëpanj, Cërrik.

Shtetasi T.H, kur ka parë Policinë ka hedhur armën e zjarrit nga dritarja e banesës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri tip automatik, dy krëhra, 200 fishekë si dhe një dorezë metalike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 278/2,3 e 279/1 të Kodit Penal./Gazeta Express

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme