Google ADS

Shëngjini i kthehet normalitetit, Rama ndan pamje nga Rana e Hedhun

21:13 | 1 Gusht 2024
E.H

Rana e Hedhun është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj vitet e fundit në Shëngjin. Pak ditë më parë, kjo zonë u prek nga një zjarr i përmasave të mëdha, por që tashmë situata i është kthyer normalitetit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikoi të enjten në rrjetet sociale foto nga turistët e shumtë që sot shijuan plazhin e Ranës së Hedhun. “Rana e Hedhun sot”, shkruan Rama.

Rana e Hedhun është një plazh i mbrojtur që vazhdon të mbërthejë kuriozitetin e vizitorëve dhe pushuesve pasi duket sikur rëra ka nisur udhëtimin e saj drejt malit.

Ndodhet 2.5 km nga qyteti i Shëngjinit në bashkinë e Lezhës dhe vlerësohet si një gjeomonument i rrallë.

Monumenti i Natyrës, Rana e Hedhun është vendi ku dunat e rërës shkrihen së bashku me detin. Një destinacion unik, me gjatësi 600 m dhe gjerësi 100 m, pozicionuar rrëzë malit të Rencit. Rana e Hedhun njihet edhe për vlerat e saj shkencore gjeomorfologjike, didaktike dhe turistike.

Ky plazh të jep një pamje që nuk e ndesh askund përgjatë bregdetit Adriatik. Aty takohet rëra gri me detin e kaltër, ndërsa nuk mungojnë edhe shkëmbinjtë që zbresin nga mali dhe derdhen në det./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme