Një tjetër vendburim i naftës në Shqipëri është zhvatur për vite me radhë, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi!
Pak ditë më parë, Fiks Fare transmetoi problemet e banorëve dhe punëtorëve në Fier dhe Mallakastër, me shoqërinë “Transatlantic”, ku administrator ishte Naim Kasa. Kjo firmë kishte detyrime të papaguara mbi 30 milionë euro. Në fund, shteti i hoqi koncesionin për dy vendburime; “Cakran-Mollaj” dhe “Gorisht-Kocul”.
Në emisionin “Fiks Fare” u ankuan edhe punëtorët në vendburimin e naftës në Amonicë të Vlorës. Ky vendburim është dhënë me koncesion më datë 16 gusht 2013, gjatë tranzicionit të ndërrimit të pushteteve.
Në atë kohë, qeveria “Berisha” i dha firmës “Phoenix Petrolium” 9 vendburime nafte dhe gazi. Edhe në këtë firmë, ashtu si te “Transatlantic Petrolium”, administrator është Naim Kasa.
Punëtorët në Amonicë kanë 5 muaj pa marrë pagat dhe 1 vit pa siguracione, ndërsa firma ka miliona USD borxhe.
“Fiks Fare” udhëtoi në vendburimin e Amonicës më 3 mars, ndërsa ankesat e banorëve ia përcolli Ministrisë së Energjetikës dhe Albpetrolit. Më datë 9 mars, këto dy institucione vendosën t’ia hiqnin koncesionin firmës “Feniks” vetëm për vendburimin e Amonicës, duke i lënë 8 të tjera!
Punëtorët: Kush e mbron këtë ‘sheik’!
Gazetarët e Fiksit intervistuan më 3 mars punëtorët e firmës “Phoenix Petrolium”. Ata pretenduan se kanë 5 muaj pa paga dhe 1 vit pa siguracione. Punëtorët treguan se nafta në këtë zonë është zbuluar në vitet ’80, ndërsa deri në vitin 2013 ka qenë në administrimin e shoqërisë shtetërore Albpetrol. “Në verën e vitit 2013, gjatë kohës së ndërrimit të qeverive, ky vendburim iu dha me koncesion firmës ‘Phoenix Petrolium’. Administratori i kësaj firme është Naim Kasa. Ai e heq veten për ‘sheik’, i fortë etj, etj. Nuk e dimë se kush e mbron. S’ka bërë asnjë investim te puset” thotë një punëtor, ndërsa tregon se në këtë firmë kanë qenë të punësuar mbi 60 punëtorë para vitit 2013, ndërsa aktualisht janë 27 punëtorë. “Na kanë ulur pagat tre herë” thotë një tjetër, ndërsa kishte edhe një mesazh për administratorin: Labëria të pret, të hap dyert, të respekton, por, po na shkele dinjitetin, të përmbysim. Punëtorët tregojnë se depozitat janë plot me naftë, ndërsa thonë se firma ka tentuar të marrë këtë naftë, por ata nuk e kanë lejuar. “Duhet të na likuidojë njëherë ne. Kemi dëgjuar se ka borxhe, ne kërkojmë lekët tona, asgjë më shumë” thotë një tjetër, ndërsa tregojnë edhe dokumentet e sigurimeve shoqërore, ku shikohet qartë se nuk janë derdhur kontributet. Ndërkohë, një banor i zonës thotë se mbetjet e naftës derdhen në një përrua, i cili shkon në lumin Shushicë. Më pas, përfundon në det.
Punëtorët ballafaqohen me drejtuesin teknik
Ekipi i gazetarëve të Fiksit shoqëron punëtorët në zyrat e firmës “Phoenix”, të cilat janë të shkatërruara. Godina ngjan me ndërtesat e bombarduara në Siri. Ambientet brenda janë po ashtu të shkatërruara, dhomat ku ndërrohen punëtorët janë pa dyer, xhamat e dritareve të thyera. Drejtuesi teknik tha për Fiks Fare se edhe ai s’ka marrë pagën, pasi nafta është sekuestruar. Punëtorët i kërkuan që të paguheshin, por ai tha se s’ka asnjë kompetencë. Nga vitit 2013 deri në ditët e sotme s’është bërë asnjë investim, vetëm janë vënë tre depozita dhe një mur rrethues. Puset s’janë rrethuar dhe gazi lëshohet në ambient.
Dëmet miliona euro, asnjë përgjegjës
Gazetarët shoqëruan një përfaqësi të punëtorëve në Gjykatën e Vlorës. Ata kanë bërë një padi në Gjykatën e Vlorës, ku janë zhvilluar disa seanca gjyqësore, por s’kanë shkuar përfaqësuesit e firmës. Një punëtor kishte marrë një kredi të butë, por për shkak se nuk merrte pagën, Enti i Banesave kishte depozituar një kërkesë në gjykatë për t’ia sekuestruar. Kësti mujor ishte 115 mijë lekë të vjetra në muaj, por as këtë shumë ai nuk e paguante dot. Pas pretendimeve të punëtorëve, “Fiks Fare” iu drejtua me kërkesa zyrtare Ministrisë së Energjetikës dhe shoqërisë Albpetrol. Albpetrol tha se punëtorët, pas datës 13 mars 2017, do të lidhin kontratë me këtë shoqëri. Por, nuk dha asnjë shpjegim se çfarë do të ndodhë me 5 pagat e prapambetura dhe mungesën e siguracioneve për 1 vit. Gjithashtu, nuk ka asnjë përgjegjës për milion USD dëme të shkaktuara nga firma “Feniks”.
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?