Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka thënë se opozita duhet ta votojë vetingun në Kuvend, në mënyrë që t’i heqë maxhorancës alibinë e akuzave të saj në drejtim të demokratëve.
Në një intervistë për “Panorama”, Shehi flet edhe për kërkesat e opozitës për krijimin e qeverisë teknike. Sipas tij, duhen bërë ndryshime në Kushtetutë, në mënyrë që qeveria teknike të formohet çdo katër vjet përpara zgjedhjeve.
Kreu i LZHK-së beson se një qeveri aventuriere si kjo e Ramës mund të hyjë në zgjedhje edhe pa opozitën, por, sipas tij, nëse kjo do të ndodhte, vendi do të hynte në një krizë të thellë.
Pse u mor vendimi për të mos hyrë në zgjedhje nga koalicioni opozitar?
Sepse po shohim që nga kundërshtarët tanë nuk ka asnjë reagim. Nuk janë marrë parasysh kërkesat, duke nisur që nga ajo për votimin elektronik, e cila u quajt e pamundur për shkak të kohës që kërkonte, edhe më pas me këtë kërkesën tonë për qeveri teknike apo qeverinë kujdestare. Mund t’i vëmë çfarë emri të duhet, por ajo do të jetë një qeveri që do të çlirojë administratën publike nga dhuna zgjedhore që e ka futur PS.
Mendoni se kërkesa për qeverinë teknike dhe ngritja e komisioneve të vetingut janë çështje të lidhura mes tyre? Apo besoni se opozita duhej ta kishte votuar vetingun për të hyrë me një besueshmëri më të madhe përpara shqiptarëve në zgjedhje?
Unë personalisht do ta kisha votuar vetingun. Nuk më shqetëson fare. E quaj një çështje të dorës së dytë përpara çështjeve zgjedhore. Por për shkak se PD ka pasur kontestime të mëdha me mënyrën se si kërkohej të aprovohej vetingu, kemi gjykuar që të qëndrojmë të gjithë solidarë. Jemi që vetingu të bëhet, por të realizohet në ditën që do të kemi garanci për zgjedhjet. Ne një konsensus madhor për Reformën në Drejtësi e kemi dhënë në korrikun e kaluar. Tashmë PS e ka bërë vetingun kalin e betejës për të justifikuar gjithë atë dhunë që fillon që nga administrata publike dhe në gjithë shoqërinë shqiptare, duke i kthyer në të pavlefshme proceset zgjedhore. Prandaj unë i kam kërkuar Bashës që ta mbyllim këtë punën e vetingut. Ne nuk na tremb ai proces, kur ai të realizohet, të parët që do të shkojnë përpara drejtësisë do të jenë këta që qeverisin sot. Ata në gjykimin tim kanë zbuluar një armik të brendshëm, që është drejtësia, dhe për mbi çdo gjë që nuk shkojnë siç duhet për ta, fajësojnë drejtësinë.
Ka dy formulime të ndryshme sa i takon qeverisë që opozita kërkon të organizojë zgjedhjet e ardhshme. Kreu i opozitës ka formuluar edhe termin “qeveri teknike”, edhe atë të “qeverisë me mbështetje të gjerë politike”. Ju cilën mbështesni nga këto alternativa?
Ne do të donim një qeveri që në dy apo tre muajt e fundit të jetë e shkëputur nga interesat e kësaj maxhorance që është sot.
Pastaj e quajmë qeveri teknike apo qeveri kujdestare, nuk ka shumë rëndësi. Unë personalisht e kam shtrirë edhe idenë që kjo lloj qeverisjeje të fiksohet në Kushtetutë, që të paktën për 10-15 vite të tjera, kushdo qoftë në qeveri, në 2-3 muajt e fundit duhet ta dorëzojë. Kjo nuk është një transferim pushteti nga njëri krah në krahun tjetër, por kjo është një mënyrë për ta distancuar pushtetin nga kutia e votimit. Unë kam propozuar që kjo teknikë legjislative të përdoret çdo 4 vjet, kushdo që të jetë në pushtet. Ky nuk është një avantazh që po ia marrin PS-së, do t’ia rikthenim edhe në kohën kur të jemi në pushtet, për të krijuar besimin reciprok sa u takon zgjedhjeve.
Kreu i opozitës, Basha, përpara zhvillimit të takimit me aleatët opozitarë, ka qenë në një drekë me ambasadorin e SHBA, Donald Lu. Ka përcjellë Basha mesazhe nga ky takim në mbledhjen me koalicionin?
Unë besoj se takimi ka qenë rutinë. Ne nuk na është përcjellë ndonjë mesazh konkret. Kemi diskutuar vetëm për vendimin që duhet të marrim në një kohë që edhe termat kalendarikë po skadojnë për regjistrimin në zgjedhje. Ne kemi gjykuar se situata me të cilën po përballemi është serioze, ndaj edhe vendimi që duhej të merrnim duhej të ishte i unifikuar dhe serioz. Tashmë e gjitha nuk duhet konsideruar si lojë. Nëse këtu nuk ka rregulla të qarta, mundësi që të shprehemi me votën tonë, atëherë nuk ka kuptim të hyjmë në zgjedhje. Nuk bëhemi pjesë e një butaforie elektorale.
Po skenari që maxhoranca të hyjë e vetme në zgjedhje pa opozitën?
Nga një maxhorancë e mbushur me aventurierë pret gjithçka. Por kjo për mua do të ishte kriza më e thellë në vend. Historia politike e ka treguar se kush tenton aventura të tilla, ka qenë gjithmonë i dështuar.
Peci: Në 2024 janë ndarë 89 milionë euro grante e subvencion...
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...