Google ADS

Sharrë, ndërtuesve iu kërkohet të riblejnë dheun

17:14 | 25 Shkurt 2019
Arbresh.info

Që prej vitit 1998 Fatmir Allmuça ka nisur të ushtrojë aktivitetin e tij në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Paralelisht ka krijuar edhe një kompani për transportin e dherave. Por që prej 7 muajsh dy bizneset e tij dëmtohen nga vendimi i Koncesionarit të Sharrës, që e detyron atë si ndërtues t’i shkarkojë dherat në Landfill duke paguar tarifën prej 480 lek/ton.

“Situata na gjeti tërësisht të papërgatitur dhe asnjë njoftim. Ky është një akt korruptiv i pastër. Nuk e dimë nga kush inskenohet. E gjithë puna ime është në dy drejtime, me ndërtimin dhe transport dherash. Deri para 7 muajsh secili kishte pikën e vete ku shkarkonte dherat. Unë kam pasur pikën timen ku sistemoja dherat”, shprehet Fatmir Allmuça.
Penalizimi i biznesmenit Allmuça nuk përfundon në Sharrë. Allmuça mendoi të ndërtonte edhe një fermë për të vënë në punë dheun e pakontaminuar që nxirrte nga hapja e gropave të ndërtimit, një ide që në vend ta zhvillonte e t’i sillte fitime, i krijoi probleme.

Ministria e Mjedisit i bëri të ditur se dherat e përftuara nga puna në ndërtim nuk mund t’i përdorë për qëllimin e tij pa i çuar më parë në Landfill, nga ku duhet t’i blejë sërish.

“Kur bëj kërkesë dhe i them dua ta vendos pronën në punë më thonë duhet t’i marrësh dherat landfillit, unë di që landfilli është shoqëri koncensionare. Nuk mund të detyrohemi që dheu i pakontaminuar të dërgohet atje. Këto dhera të pakontaminuara ne kryesisht i vinim në punë dhe i shisnim dhe këtu qëndron problemi më i madh. Nëse unë dua të vendos ta bëj produktive një pronë timen dhe ta mbush me dhe, sistem gjelbërimi i bie nuk kam të drejtë por duhet të shkoj në Landfill ta blej dhe kjo është gjëja më absurde”, thotë ndërtuesi Allmuça.

Skandali i blerjes së dherave nga biznesmenët që vetë i kanë shkarkuar, i shtohet atij të aferës me tarifën shtesë të koncesionarit të Sharrës. Për çdo mjet që shkarkon dhera apo mbetje ndërtimore, koncesionari merr 480 lekë/ton, ndërkohë që merr nga Bashkia 29 euro për çdo ton mbetje organike, të prodhuar nga banorët e kryeqytetit dhe zonave përreth.

Për këtë tarifë shtesë, News 24 kërkoi shpjegim nga koncesionari i inceneratorit te zonës së trajtimit të mbetjeve “Integrated Energy B. V”. Nëpërmjet një e-maili shumë të shkurtër, koncesionari shpjegon se tarifa për kamionët që depozitojnë dhera dhe mënyra e përcaktimit të saj janë vendosur nga landfilli me miratimin e Bashkisë së Tiranës.

Për këtë afere kanë reaguar përfaqësues të bizneseve dhe shumë ndërtues në vend, të cilët e cilësojnë një vendim me natyrë klienteliste dhe korruptive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme