Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari dhe deputeti Ralf Gjoni, në një konferencë për mediat, kanë folur mbi draftin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, përfshirë edhe rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalës së saj, deputetja Hajdari tha se nuk ka ndodhur asnjëherë në Kuvendin e Shqipërisë ku të ketë një platformë, ku shoqëria civile të vijë e të flasë dhe të shprehë mendimin e saj.
“Projektligj është komplementar me disa propozime të tjera që kanë ardhur pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore në lidhje me këtë çështje. Jam e kënaqur bashkë me deputetin Gjoni që i japim mundësi shoqërisë civile të vijë në Kuvendin e Shqipërisë, sepse Kuvendi është i shqiptarëve dhe jo i disa politikanëve. Nëse ne vërtetë një ditë do ta bëjmë ndryshimin, ne duhet t’ja rikthejmë parlamentin shqiptarëve”, tha Hajdari.
Sipas saj kjo nismë i hap rrugë forcimit të demokracisë në vend, forcimit të shtetit të së drejtës dhe forcimit të drejtësisë në Shqipëri, “për të pasur një parlament, i cili i rikthen forcën qytetarëve dhe jo pushtetarëve”.
Ndërsa deputeti Ralf Gjoni në fjalën e tij tha se ky draft ka të bëjë me hapësirat që duhen krijuar në Parlament përsa i përket shtyllës së dytë të demokracisë shqiptare.
“Pas reformës në drejtësi, sfida kryesore e të gjithë shqiptarëve është ndryshimi rrënjësor i sistemit zgjedhor për t’i kthyer legjitimitetin institucionit bazë të një demokracie parlamentare që është Parlamenti”, tha Gjoni.
Sipas Gjonit, Shqipërisë i duhet sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, “ku qytetari të zgjedhë deputetin që do”.
“Nuk është koha për parti të reja, e rëndësishme është që komisioni ta marrë në konsideratë këtë propozim që vjen nga shoqëria civile”, tha Gjoni.
Kujtojmë se sipas Kushtetutës së Shqipërisë, deputetët zgjidhen me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore i cili ka për detyrë të hartojë ndryshime të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e plotë të rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it, si dhe të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet.
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...
Pesë vite nga tërmeti i 26 nëntorit, buxheti ka ende 50 mili...