Google ADS

Selfie me politikanë dhe 450 kg hashash në garazh: Kush është shqiptarja, “zonja e drogës” në Itali

01:39 | 3 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Një shqiptare 36-vjeçare akuzohet si drejtuesja e një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës. E buzëqeshur, me kokore ndërtimi në kokë e gati për të punuar. Kështu shfaqet ajo në disa foto. Në fakt kjo ishte puna e shqiptares me letra, një sipërmarrëse ndërtimi, megjithatë shumë pak mund të mendonin që ajo fshihej pas një operacioni droge me një sasi të konsiderueshme prej 450 kilogramësh hashash.

E reja është vënë në prangat e autoriteteve pasi këta të fundit mundën që të binin në gjurmët e saj. Sipas akuzës, shqiptarja Jona Mullaraj ishte në krye të një grupi kriminal që do të përfitonte të paktën 1 milionë e gjysmë Euro si pasojë e shitjes së hashashit.

Së bashku me shqiptaren 36-vjeçare, banore në Saronno, janë prangosur edhe 4 persona të tjerë. Ndër ta edhe krahu i djathtë i boses së drogës, një 45-vjeçar. Sipas hetimeve ai kishte për detyrë ruajtjen e 450 kilogramëve hashash, të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia. Por ky i fundit e tradhtoi shqiptaren pasi ka inskenuar një grabitje në garazhin ku ishte fshehur droga për ta marrë atë për vete. Por kjo grabitje e ka futur në telashe dhe ka qenë arsyeja pse ra në pranga.

Garazhi ishte në pronësi të boses së krimit, por ajo e kishte marrë me qira në emër të një italianeje për të mos lënë gjurmë. Hetimet e autoriteteve në Desio filluan në Prill, pas informacioneve për mbërritjen e sasive të mëdha të drogës në Brianza. Sipas mediave italiane, shqiptarja ka organizuar, udhëzuar, caktuar dhe deleguar detyrën e ruajtjes së lëndës narkotike bashkëpunëtorit të saj, i cili në fund e tradhtoi.

45-vjeçari nga Cesate e vodhi bosen shqiptare me ndihmën e disa personave të tjerë. Sipas mediave, ai do ta shiste drogën vetë dhe do t’i mbante fitimet të gjitha për vete. Gjatë një mbrëmjeje në Prill, ai ka inskenuar vjedhjen brenda në garazh, dhe një pjesë të drogës e fshehu në banesën e tij në Cesate. Por pas dy ditësh, ka qenë mirëmbajtësi i ndërtesës ku gjendej garazhi që ka vënë re grabitjen dhe ka lajmëruar policinë. Kur bashkëpunëtori i shqiptares shkoi atje gjeti policinë. Autoritetet kanë realizuar një kontroll tek banesa e italianit dhe i gjetën të paktën 80 kilogramë hashash.

Kanë qenë bisedat telefonike të të dyshuarit dhe kamerat e sigurisë që i ka lejuar hetuesve që të rindërtojnë lëvizjet e 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë “grabitjes”. Po ashtu nën hetimin e policisë ra edhe marrëdhënia e tij me shqiptaren. Pavarësisht përpjekjeve për të mos lënë gjurmë janë disa elementë që i kanë lejuar hetuesve që të zbulojnë 36-vjeçaren. Përveç emrit të qiramarrëses së garazhit, e cila nuk kishte lidhje me ngjarjen, por thjesht ishte përdorur si mburojë, është gjetur edhe një numër zvicerian, që autoritetet thonë se shqiptarja e ka përdorur për të biseduar me bashkëpunëtorin e saj.

Në një bisedë në Mars të vitit 2020, bashkëpunëtori informoi gruan se kishte gjetur një apartament me qira. Por ai ka hasur në kundërpërgjigjen agresive të shqiptares që i ka treguar se kjo nuk ishte detyra e tij. E njëjta grua ka informuar 45-vjeçarin kur ka mësuar që droga në garazh ishte vjedhur. Pas arrestimit të këtij personi në Prill të 2020, 36-vjeçarja ndërroi targat disa herë në pak muaj, duke e regjistruar dhe duke i ndryshuar edhe ngjyrën. Tashmë 36-vjeçarja ndodhet në burg si pjesë e operacionit Mosaico.

Shqiptarja 36-vjeçare ka foto së bashku me një ish-kryetar bashkie të Brianza-s, por edhe në disa raste me Matteo Salvinin. Ajo ka disa fotografi me kreun e Lega-s, ndërkohë që mediat shkruajnë se e reja është militante e kësaj partie, madje aktive edhe në fushatat kundër vaksinimit të detyrueshëm ndaj Covid. Megjithatë nga hetimet nuk është zbuluar përfshirja e ndonjë politikani në këtë aktivitet të rëndë kriminal./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme