Selami: Kandidoj për kryetar të PD-së

17:27 | 28 Qershor 2017
Arbresh.info

Njësoj si 4 vjet më parë, demokratët në Shqipëri do të votojnë më 22 korrik për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.

Vendimi për hapjen e garës u mor nga nënkryetarët Paloka dhe Spaho, të cilët shpallën periudhën zgjedhore nga 2 deri në 22 korrik.

Ky vendim u lë kohë 5 dite kandidatëve të regjistrohen në garë, një proces ku ftohen të marrin pjesë rreth 100 mije anëtarë të Partisë Demokratike. Aktualisht ka dy kandidate në garë. Pas Lulzim Bashës, Eduard Selami lajmëroi herët në mëngjes se do të kandidojë për postin e kryetarit të Partise Demokratike me synimin, siç thotë, për t’i kthyer së bashku lavdinë e merituar Partisë Demokratike.

Pas shpalljes së kandidimit, Eduard Selami u pa të hyjë në zyrën e Lulzim Bashës në mesditë, një akt i pandodhur më parë mes dy kandidatësh. Por Selami, që e ka kritikuar ashpër Bashën përpara arritjes së marrëveshjes me Ramën, i ka rezervuar për më vonë komentet.

Ndërkohë nga kritikët e tjerë që Basha i përjashtoi nga listat e deputetëve, nuk ka akoma një reagim, nëse ndonjëri prej tyre do të kandidojë apo jo për kreun e Partisë Demokratike.

Nga dy deklaratat e mbrëmshme, nuk duket se kundërshtarët e Bashës kanë gjetur dikë që t’i përfaqësojë ata të gjithë së bashku. Megjithatë, ata vazhdon t’i bashkojë bindja se Basha duhet të dorëhiqet për të patur një garë të barabartë për kryetarin e Partisë Demokratike, shkruan TCH.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme