Një sasi prej 1 ton e 291 kg kanabis sativa është sekuestruar nga Policia e Shtetit mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.
Lajmi është njoftuar nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu, i cili ka theksuar se lënda narkotike është kapur gjatë operacioneve të ndryshme të koduara “Befasia” dhe “Papafingo”.
Operacioni i parë i koduar “Befasia” ka çuar në pranga shtetasit Fation Mesi, banues në Nikël, Ilir Ferati, Izmir Muja, nga Kukësi, Saimir Grosha, banues në Bardhosh në Kukës, ndërsa në kërkim shpallur në kërkim shtetasi A.Q.
Në një automjet Volsvagen janë sekuestruar 8 thasë me lëndë narkotike.
Nga operacioni i dytë janë arrestuar shtetasit Hasan Sula, banues në Rinas dhe Merita Sula, bashkëshortja, ndërsa janë shpallur në kërkim dy djemtë e tyre, K.S dhe S.S.
Sipas kreut të policisë, në banesën e tyre në një papafingo janë gjetur 170 thasë me bimë narkotike. Nga peshimi i krejt lëndës narkotike, rezulton një peshë totale prej 1 239 kg.
Drejtori Veliu sqaroi se grupi i parë i të arrestuarve ishte furnizuar me lëndën narkotike pikërisht nga familja Sula, banuese në Rinas.
Veliu tha se gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë dhe është sekuestruar një armë zjarri.
Operacioni i parë “Befasia”
Gjatë operacionit të parë të koduar “Befasia”, janë arrestuar katër persona dhe një i pestë është shpallur në kërkim.
Në pranga përfunduan:
-Fajton Mesi, 31 vjeç, banues në Nikël -Çerek;
-Ilir Ferati, 31 vjeç, banues në fshatin Bardhoc, Kukës
-Izmir Muja, 32 vjeç, banues në Lum Kukës, i dënuar me parë.
-Sajmir Grosha, 33 vjeç, banues në Bardhoc i Ri, Kukës, i dënuar më parë.
Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi: A.Ç., 38 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Sipas kreut të policisë së kryeqytetit, këta shtetas janë kapur në flagrancë në zonën e Unazës së Re mbrëmjen e shkuar.
Policia sqaron se aksioni për arrestimin e këtyre personave nisi pas informacioneve se këta shtetas kryenin shitjen e lëndëve narkotike kanabis sativa në sasi të mëdha në zonat të ndryshme si në Kamzë, Institut Kamzë, Paskuqan, Babrru, etj.
“Automjeti me të cilin lëviznin personat e dyshuar me targa TR 0244 S, i është bërë shenjë për të ndaluar nga shërbimet e policisë me xhupa me mbishkrimin “POLICIA” dhe duke e paralajmëruar “Ndal Policia”, por automjeti nuk ka ndaluar dhe pasi ka parë automjetin e policisë ka vazhduar me shpejtësi për t’ju shmangur shërbimeve të Policisë.
Gjatë kësaj kohe shtetasi i identifikuar si A.Ç. është larguar me vrap duke dalë nga mjeti, ndërsa drejtuesi ka vazhduar dhe në shpejtësi e sipër për t’i shpëtuar shërbimeve të policisë, ka devijuar rrugën kryesore, duke hipur në trotuar ku dhe është përplasur me një shtyllë”, thuhet në deklaratë.
Në këtë moment është neutralizuar Fatjon Mesi, ndërsa në bagazhin e mjetit dhe në sediljen e pasme janë gjetur gjithsej 8 thasë të mbushur me bimë të tharë e dyshuar si narkotike e llojit Cannabis Sattiva.
Policia ka neutralizuar edhe 3 personat e tjerë të cilët qëndronin në kryqëzimin e Paskuqanit duke ruajtur lëvizjen e automjetit tip “Wolksvagen Polo”. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 automjete dhe 4 telefona celularë.
Në operacionin e dytë “Papafingo”
Në operacionin e dytë i lidhur me të parin dhe i koduar “Papafingo”, kanë përfunduar në pranga Hasan Sula, 50 vjeç, banues në Rinas; si dhe bashkëshortja e tij, Merita Sula, , 45 vjeçe, ndërsa janë shpallur në kërkim dy djemtë e tyre, K.Sula, 26 vjeç dhe S.Sula, 25 vjeç.
Sipas policisë, lënda narkotike e sekuestruar nga arrestimi i personave nga operacioni “Befasia”, ishte marrë nga shtetasi Hasan Sula.
Pas ushtrimit të kontrollit të banesës ka rezultuar se kryesisht në katin e dytë, në papafingo, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjithsej 170 thasë me sistem vakuumi të mbushur me lëndë narkotike. Nga peshimi në total, rezulton që lënda narkotike të jetë 1 ton e 290 kg.
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë