Sekuestrohen 2 tonë drogë

14:41 | 10 Shkurt 2017
Arbresh.info

Një operacion masiv antidrogë i zhvilluar nga policia e shtetit gjatë natës ka çuar në sekuestrimin e rreth 2 ton e 212 kg kanabis.

Policia e Shtetit ka deklaruar se gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar natën, janë sekuestruar 2 tonë e 212 kilogramë kanabis.

Operacionet janë zhvilluar në Lezhë dhe Tepelenë. Mësohet se policia ka arrestuar një person si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

“Operacioni i parë i koduar “Adriatik” është zhvilluar në grykëderdhjen e lumit Ishëm nga Policia Kufitare në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Si rezultat i këtij operacioni është sekuestruar një gomone dhe një sasi lëndë narkotike me peshë rreth 1 ton e 450 kg kanabis sativa.

“Në vendin e quajtur “Godull” në Kurbin, u gjet e fshehur në shkurre një sasi lënde narkotike e dyshuar marijuanë paketuar e gatshme për trafikim në total 1 ton 450 kg. Vazhdojnë veprimet hetimore për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton policia.

Ndërkohë operacioni i dytë u zhvillua në Dhëmblan, Tepelenë nga Seksioni Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, ku në një banesë u sekuestrua lëndë narkotike më peshë rreth 762 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Policia ka deklaruar se në lidhje me këtë, ka shpallur në kërkim një person, të dyshuar si posedues të drogës.

“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në banesën e shtetasit G. D., 40 vjeç, kishte lëndë narkotike, në datë 09.02.2017, është ushtruar kontroll nga ana e punonjësve të policisë. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në tavanin e banesës dhe në një kasolle në afërsi të banesës, janë gjetur 55 thasë plasmasi me ngjyrë të zezë ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa. Pesha totale e lëndës narkotike 762 kg”, shton policia.

Ndërkohë po punohet për kapjen e këtij shtetasi. Lënda narkotike u asgjësua në vend me anë të djegies dhe një pjesë e saj u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetim të mëtejshëm për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme