Sekretari amerikan i Shtetit ka mbërritur në ambientet e piramidës, pas takimit me Presidentin Bajram Begaj.
Në ambientet e piramidës, Sekretari Blinken do të ketë një bashkëbisedim me të rinjtë shqiptarë që kanë përfituar nga programet edukative të vendit mik dhe që sot luajnë një rol thelbësor në forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA.
Sipas Klan Neës, në të njëjtat ambiente, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të zhvillojë një takim edhe me kreun e SPAK, Altin Dumani.
Ora 14:42 – Sekretari Blinken takim me Presidentin Begaj
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka shkuar në Presidencë për t’u takuar me Presidentin Bajram Begaj, një takim i parashikuar në axhendën e vizitës së tij në Tiranë.
Eskorta e Blinken mbërriti në Presidencë në orën 14:42, pasi Sekretari Blinken kishte shkuar më herët në ambientet e ambasadës amerikane. Takimi i Blinken me Begajn zgjati 20 minuta.
Ora 14:35 – Blinken mbërrin në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka nisur takimet e tij zyrtare në Shqipëri fillimisht nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë. Autokolona e blinduar e Blinken ka mbërritur rreth orës 13:35 në Ambasadën e SHBA-së.
Sipas axhendës, Blinken do të ketë një takim me punonjësit e ambasadës për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjithashtu, pritet që Sekretari Blinken të zhvillojë takim dhe me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në vend.
Rama: Mirë se vjen në Shqipëri Sekretari Blinken
Kryeministri Edi Rama postim në Facebook për pritjen e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken.
“Mirë se vjen në Shqipëri Sekretari Blinken”, shkruan Rama.
Ambasada e SHBA: Blinken do të takohet edhe me drejtues të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri
“Mirë se vjen në Shqipëri Blinken”, kështu e ka nisur reagimin në rrjetin social “X”, Ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Në postimin në “X”, Ambasada e SHBA-së ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken do të takohet me Presidentin Begaj, Kryeministrin Rama si dhe do të marrë pjesë në një aktivitet rinor në Piramidën e Tiranës për të festuar të ardhmen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Më tej, thuhet se Sekretari Blinken do të takohet gjithashtu me drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe punonjësit e Ambasadës.
“Gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe do të marrë pjesë në një aktivitet të veçantë rinor në Piramidën e Tiranës, duke festuar të ardhmen e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Ai do të takohet gjithashtu me drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe punonjësit e Ambasadës.”
“Mirë se erdhe Blinken”, Hasani: Partneriteti dhe bashkëpunimi i Shqipërisë me SHBA-në do të forcohet
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasan ii ka uruar mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në një postim në rrjetin social “X”, ministri Hasani shkruan se e ka mirëpritur me kënaqësi Sekretarin Blinken në vizitën e tij të parë në Shqipëri.
Më tej në postimin e tij, Hasnai shkruan se bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në do të forcohet, i ndërtuar në një themel të fortë mes dy vendeve.
Ministri Hasani e përmbyll postimin e tij duke i shprehur mirënjohjen Sekretarit Blinken për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për Shqipërinë.
“Mirë se erdhe Antony! Me kënaqësi kam mirëpritur Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar”, shkruan Hasani.
ORA 11:11 – Antony Blinken mbërrin në Shqipëri
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Avioni i kreut të diplomacisë amerikane preku tokën shqiptare në orën 11:11.
Mirëseardhjen ia ka uruar homologu i tij shqiptar, ministri i Jashtëm Igli Hasani, i cili e priti në pistën e aeroportit. Sekretari Blinken shoqërohet në këtë vizitë edhe nga ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Pas mbërritjes në aeroport, eskorta e Antony Blinken u nis drejt Tiranës.
Takimet e tij zyrtare, Blinken i ka nisur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë ku ka mbërritur rreth orës 13:35. Sipas axhendës, Blinken do të ketë një takim me punonjësit e ambasadës për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo është vizita e parë në Shqipëri e Sekretarit Blinken. Forca të shumta të sigurisë janë të angazhuara për të garantuar sigurisë gjatë gjithë vizitës së tij 8-orarëshe në kryeqytetin shqiptar.
Bulevardi kryesor i kryeqytetit shqiptar që prej ditës së djeshme është zbukuruar në të dy anët e tij me flamujtë shqiptarë dhe amerikanë. Ndërsa në fasadën e Universitetit të Tiranës, godinës e cila ngrihet si pika fundore e këtij bulevardi është vendosur një foto gjigande e zoti Blinken, duke i uruar atij mirëseardhjen. I njëjti poster i përdorur sot që në mëngjes nga kryeministri Edi Rama në llogarinë e tij në Facebook.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, “Sekretari Blinken do të konfirmojë marrëdhëniet e afërta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit kur njoftoi zyrtarisht vizitën e tij në kryeqytetn shqiptar, duke vënë në dukje se Shqipëria cilësohet si “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”
Ndërsa dy ditë më parë Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”. Zonja Kima theksoi se “vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”.
AXHENDA NË TIRANË E SEKRETARIT AMERIKAN TË SHTETIT ANTONY BLINKEN
Ndalesa e parë në kryeqytet do të jetë në ambasadën amerikane në Shqipëri, ku do të ketë një takim me punonjësit e saj për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në axhendë parashikohet një takim me Presidentin Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.
Rreth orës 16:00 pritet të nisë takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe një konferencë e përbashkët për mediat e tyre në ambientet e kryeministrisë.
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut