Në këtë Samit Bashkimi Evropian ia bëri të qartë Shqipërisë se i duhet të luftojë krimin e organizuar për t’u bërë pjesë e Unionit. Këtë qëndrim kryeministri Rama nuk e ka kapërdirë dot, gjë të cilën e tregoi edhe në konferencën e djeshme për shtyp, ku skandali i Fatmir Xhafajt i ka ngecur në fyt.
Sipas “The Guardian” Rama i krahasoi angazhimet e paqarta të BE-së me premtimin komunist të një të ardhmeje të ndritur, që ishte gjithmonë aty tek cepi. “Ne jetuam për 50 vjet me një horizont të kuq që nuk e arritëm kurrë. S’duam të jetojmë tani nën një horizont blu”-tha ai.
Shkrimi i plotë nga Shaun Walker, “The Guardian”
Qëndroni në radhë, por mos prisni që dera t’iu hapet së shpejti. Ishte ky mesazhi që iu dha të enjten krerëve të 6 shteteve të Ballkanit që shpresojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian.
Të gjashtë, ishin ftuar në takimet e udhëheqësve të shteteve të BE-së në Sofje, Bullgari, si një gjest për të ri-pohuar rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Union. Në vend të kësaj, në samit u bënë të dukshme ndarjet, nëse blloku mund të përballonte zgjerimin e mëtejshëm në të ardhmen e parashikueshme.
BE-ja është e gatshme të vazhdojë të joshë të gjashtë shtetet, duke pasur parasysh shqetësimet për destabilitetin e mundshëm dhe rolin në rritje të Rusisë në rajon.
Johannes Hahn, komisioneri i BE–së për zgjerimin, është shprehur në disa raste se unioni duhet të “eksportojë stabilitet” në rajon për të shmangur “importimin e destabilitetit”.
Por shumë shtete anëtare, janë të shqetësuara për dhënien e angazhimeve konkrete. Emmanuel Macron, është shfaqur si kundërshtari kryesor i zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian.
“Mendoj se ne duhet të shohim me shumë kujdes dhe rigorozitet, mundësinë e një zgjerimi të ri”- tha presidenti francez për gazetarët në Sofje.
“Pesëmbëdhjetë vitet e fundit, kanë treguar një rrugë që e ka dobësuar Evropën, duke menduar gjithë kohën se duhet të zgjerohet”.
Deklarata përfundimtare e samitit, ofroi mbështetje për “perspektivën evropiane” të gjashtë vendeve të Ballkanit, por dukshëm munguan termat “anëtarësim” apo “zgjerim”.
Mali i Zi dhe Serbia
Mali i Zi dhe Serbia, kanë përparuar më shumë në rrugën e anëtarësimit, me një datë të mundshme të bashkimit në vitin 2025, megjithëse shumë e shohin këtë datë si tejet optimiste. Muajin tjetër, duhet të merret një vendim nëse do të çelen bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Çoroditja e kryeministrit Edi Rama
“Perspektiva evropiane” për dy vendet e tjera, Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën, është jashtëzakonisht e paqartë, dhe nuk ka gjasa të realizohet në të ardhmen e afërt. “Elefanti ishte në dhomë, ndaj ne duhej të flisnim për këtë”- tha kryeministri shqiptar Edi Rama, pasi doli nga një drekë me liderët e BE-së, të cilën ai e përshkroi si të mbushur me “shumë argumente” dhe “debate”.Rama tha se ai doli nga dreka me një ndjesi pozitive, se BE mund të hapë negociatat e pranimit me vendin e tij dhe Maqedoninë në qershor, por ai gjithashtu i krahasoi angazhimet e paqarta të BE-së me premtimin komunist të një të ardhmeje të ndritur, që ishte gjithmonë aty tek cepi.
“Ne jetuam për 50 vjet me një horizont të kuq që nuk e arritëm kurrë. S’duam të jetojmë tani nën një horizont blu”-tha ai. Politika e jashtme gjithnjë e më agresive e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, është në mendjen e politikanëve evropianë, dhe përdoret gjithashtu nga elitat politike në vendet ballkanike, si një paralajmërim se ato nuk mund të presin përgjithmonë Evropën.
“Bashkimi Evropian, është i vetëdijshëm se ka konkurrentë të fortë në Ballkan. Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ekziston boshllëku. Nëse dikush tërhiqet, ose nuk dëshiron të veprojë, dikush tjetër do të bëjë këtë”- tha Srgjan Darmanoviç, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, për “The Guardian” më herët gjatë këtij muaji.
Lodhja nga Zgjerimi
Megjithatë, lodhja nga zgjerimi, plus shtetet e Ballkanit, nënkuptojnë se shumë në BE janë të shqetësuara nga perspektiva e futjes së anëtarëve të rinj, veçanërisht në një kohë kur blloku ka debatet e veta të brendshme, mbi atë se si të merret me prapësimet demokratike në Poloni dhe Hungari.
“Me Hungarinë, Poloninë dhe Kroacinë që po ecin në drejtime problematike, nuk ka një oreks për të importuar vende të reja me të njëjtat telashe”- tha një diplomat evropian që punonte në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Por nëse e ndalojmë procesin e integrimit në BE, është shumë e vështirë për të ringjallur atë, dhe kemi shumë për të humbur nëse i shtyjmë vendet e rajonit drejt Kinës dhe Rusisë”.
Diplomati e përshkroi samitin e Sofjes si “një mesazh të rëndësishëm për vendet, se ato arrijnë më të mirën, nëse bashkëpunojnë mes tyre”. Por BE-ja duket se kërkon nivele të reja reformash nga një grup qeverish, udhëheqësit e të cilave i kanë goditur mediat dhe janë të lidhura me skandale korruptive.
Ballkani dhe Brukseli
“Ata janë të gatshëm të reformohen, por vetëm për sa kohë që kjo nuk prek interesat e tyre bazike”- shprehet Florian Bieber, një shkencëtar politik i fokusuar mbi Ballkanin Perëndimor. Ekziston edhe çështja e emrit të Maqedonisë, të cilin Athina e kundërshton për shkak të ngjashmërisë së saj me rajonet veriore të Greqisë.
Udhëheqësit e të dyja vendeve u takuan në Sofje, dhe thanë se ishin afër arritjes të një marrëveshje mbi një emër të ri për Maqedoninë. Pastaj është Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por që pesë vende të BE-së ende nuk e njohin.
Në shumicën e gjashtë shteteve të Ballkanit, sondazhet e opinionit tregojnë një shumicë të fortë në favor të integrimit në BE, dhe udhëheqësit politikë janë të prirur të sjellin premtime nga Brukseli për t’ua “shitur” qytetarëve të tyre.
Rama tha se e pranoi se anëtarësimi i vendit të tij nuk do të ndodhë në periudhë të përcaktuar, por theksoi se rruga e integrimit ishte e rëndësishme për shpresat e të rinjve shqiptarë. “Ne duhet t’u japim atyre një perspektivë të qartë, se një ditë ne do të jemi në Evropë”- tha ai./TiranaToday/
Apple raportohet se ka larguar podkastet e mediave të pavaru...
Komuna e Istogut i bashkohet refuzimit të doracakëve për edu...
Xuxi: Nuk është marre me humb prej dikujt që është më i mirë...
FFK-ja del me njoftim për tifozët dardanë për ndeshjen Ruman...
Lansohen katër shërbime nga ministria e Arsimit në platformë...
“Tani është personale”/ Tysoni godet me shuplakë Paulin, gja...