Gjatë vitit 2017, një përdorues celular aktiv (që ka kryer komunikim në 3 muajt e fundit) ka kryer mesatarisht 160 minuta thirrje dalëse, ka dërguar 34 mesazhe SMS në muaj dhe ka konsumuar rreth 2.06 GB në Internet broadband.
Për këtë konsum mesatar një përdorues aktiv celular ka paguar mesatarisht 509 lekë/muaj (me TVSH) dhe rreth 3.12 lekë/minutë (me TVSH). Në vit shpenzimi llogaritet në 6108 lekë, ose rreth 47 euro.
Tregu i komunikimeve elektronike gjatë vitit 2017, ka shënuar zhvillime të rëndësishme të cilat kanë efekte të ndjeshme tek konsumatorët, gjithashtu edhe tek ofruesit e këtyre shërbimeve, sipas raportit vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Një nga ndryshimet kryesore të ndodhura në tregun celular ishte transferimi i të drejtave të përdorimit të radiofrekuencave nga Plus Communications tek Vodafone Albania dhe Telekom Albania dhe po ashtu mbyllja e aktivitetit të ofrimit të shërbimeve celulare nga Plus Communication më datë 31.12.2017.
Pas një periudhe me të ardhura të qëndrueshme të sektorit në 2014-2016, në vitin 2017 u vu re një rënie e ndjeshme e të ardhurave nga komunikimet elektronike, e cila vlerësohet të jetë shkaktuar kryesisht nga rënia e të ardhurave të shërbimeve me shumicë të operatorëve celularë.
Të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 vlerësohet të jenë 37 miliardë lekë, që përbën një reduktim me rreth 13% në krahasim me vitin 2016, kur të ardhurat ishin rreth 42.4 miliardë lekë, raporton AKEP. Të ardhurat nga ofrimi i shërbimeve në rrjetet celulare u reduktuan me 12% ndërsa të ardhurat nga rrjetet fikse u reduktuan me 14%. Të ardhurat totale nga shërbimet me pakicë në rrjetet celulare në vitin 2017 arritën në 17.2 miliardë lekë, që përbën një rritje të vogël me 0.4%.
Rënia më e madhe e të ardhurave të operatorëve celularë ka ndodhur në të ardhurat e shërbimeve me shumicë, ku të katër operatorët kanë shënuar rënie të ndjeshme. Tkurrja e ndjeshme e të ardhurave me shumicë ka ardhur kryesisht për shkak të rënies së madhe të trafikut hyrës ndërkombëtar (rreth 44%) dhe rrjedhimisht të të ardhurave nga terminimi i këtyre thirrjeve (rreth 3.4 miliard lekë), duke ndikuar negatisht edhe në nivelet dhe normat e fitimit të operatorëve celularë, për shkak të peshës së lartë të këtyre të ardhurave në të ardhurat totale dhe fitimet e kompanive celulare.
Rënie të ndjeshme të trafikut hyrës ndërkombëtare dhe të ardhurave nga terminimi dhe tranzitimi i këtyre thirrjeve ka pësuar edhe Albtelecom si operator rrjeti fiks. Ecuria e investimeve në rrjete celulare tregon se në dy vitet e fundit ka pasur një rënie të ndjeshme të investimeve, e ndikuar edhe nga diz-investimet e Plus (shitja e aseteve).
Duke hequr efektin e Plus rezulton se investimet e tre operatorëve në infrastrukturë rrjeti celular u reduktuan me rreth 2.6 miliardë lekë në 2016 dhe u rritën me 892 milionë lekë në 2017. Ndëkohë investimet e Albtelecom në infrastrukturë rrjeti fiks në dy vitet e fundit ishin në nivel 730-740 milionë lekë/vit. Numri i përdoruesve aktivë (përdorim në 3 muajt e fundit të vitit) të telefonisë celulare në vitin 2017 arriti në rreth 3.2 milionë që përbën një rënie me 5.9% në krahasim me vitin 2016.
Numri total i përdoruesve të rrjeteve celulare që kanë përdorur aksesin broadband në Internet të paktën një herë gjatë vitit 2017 ishte rreth 3.3 milionë, ndërsa numri i përdoruesve aktivë (përdorim të Internetit në tre muajt e fundit) ishte rreth 2 milionë, që përbën rritje vjetore me 22.2% dhe 17.6% respektivisht. Penetrimi për popullsi i përdoruesve aktivë celularë të aksesit broandband nga rrjetet 3G/4G në fund të vitit 2017 arriti në 72% krahasuar me 60% në fund të vitit 2016.
Në vitet 2016-2017 vihet re një rritje e ndjeshme e trafikut hyrës kombëtar në rrjetet celulare (efekti i masës rregulluese të mos-diskriminimit në thirrjet on-net/off-net) dhe përdorimit të shërbimeve të aksesit broadband (efekti i fillimit të ofrimit të shërbimeve 4G). Numri i përdoruesve aktivë te aksesit broadband celular ka rritje vetëm me 65% në 2013-2017, por volumi i të dhënave është rritur më shumë se 18 herë gjatë kësaj periudhe.
Rritje të ndjeshme këta tregues kanë pasur edhe në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, ku numri i përdoruesve të shërbimeve 3G/4G është rritur me 20%, ndërsa volumi i të dhënave është dyfishuar. Rënie të ndjeshme ka pasur terminimi i thirrjeve hyrëse ndërkombëtare, me 44% në vitin 2017 krahasuar me vitin paraardhës, por me një rënie rreth 4 herë në krahasim me vitin 2013.
Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2016 ishte rreth 248 mijë, ndërsa në 2017 arriti në rreth 244 mijë, që përbën një rënie me 2%. Norma e penetrimit për telefoninë fikse (numër pajtimtarësh për 100 banorë) në fund të vitit 2017 arriti në 8.6%, që është shumë më e ulët se vendet e zhvilluara (rreth 40%), rreth dy herë më e ulët se mesatarja botërore (15.2%), madje më e ulët edhe se mesatarja e vendeve në zhvillim (10%).
Megjithëse shërbimet e telefonisë nga rrjetet fikse kanë pasur reduktim të ndjeshëm në 5 vitet e fundit, shërbimet e aksesit broadband nga rrjete fikse kanë pasur rritje të qëndrueshme vjetore gjatë kësaj periudhe kohore. Numri pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2017 arriti në rreth 294 mijë, që përbën një rritje me rreth 10.5% në krahasim me vitin 2016.
Në vitin 2017 norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte 37.2% për familje dhe 10.4% për popullsi. Megjithëse numri i pajtimtarëve me akses broadband është në rritje të qëndrueshme, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se në vendet e BE-së dhe të rajonit.
Numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara dyfishe ose trefishe (kombinim Telefoni/Internet/ TV) në fund të vitit 2017 arriti në rreth 198 mijë, rreth 6.5 % më shumë se në vitin 2016. Në vitin 2017 pajtimtarët me paketa të integruara përbënin 67% të pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse, ndërsa 34% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) /Monitor
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...