Rudina Hajdari: Nuk kam qenë pjesë e Nismës Thurje

21:10 | 22 Tetor 2020
Arbresh.info

Deputetja Rudina Hajdari ishte e ftuar në studion e Abc News, ku foli për zhvillimet politike në vend.

Gjatë intervistës me gazetaren Isida Muço, deputetja u shpreh se beteja e saj për listat e hapura solli një fitore të vogël, që është vota parapëlqyese.

“Kauza nuk ka rënë dhe nuk ka pse të bjerë. Sa më shumë kalon koha shihen dy parti të vjetra që janë si banda. Unë vërej që ky debat është zbehur. Duke marrë parasysh faktin që listat e hapura ishin një nga betejat kryesore. Unë jam krenare që e shtyva këtë betejë përpara. Isha një votë, u mundova që në çdo debat të vija në dukje rëndësinë e madhe të listave të hapura. Solli një fitore të vogël, votën parapëlqyese. Nuk mund të them që jam e kënaqur sepse duhet të kishim lista të hapura 100%. Vota parapëlqyese do të tregojë se kush do të shkojë në parlament. Vota parapëlqyese do të jetë për të gjithë listën. ne do shkojmë drejt ndryshimit të sistemit dhe hapjes së listave 100%.

Mendoj se këtu pati një fitore, por nuk mjafton me kaq. Pas këtyre zgjedhjeve do të rikthemi prape te Reforma Zgjedhore. Nuk do shkojmë me këtë sistem që kemi. U tentua për ta demokratizuar, por aktorët kryesorë, kryetarët e partive të vjetra u munduan të ruanin statukuonë”, u shpreh Hajdari.

Më tej, deputetja hodhi sërish akuza për partitë politike. Sipas saj demokratët kanë kohë që ndihen të braktisur.

“Mendoj se zoti Basha mund të bëjë deklarata të tillë. Por demokratë vërtetë kanë kohë që ndodhen të braktisur. Ajo parti ka kohë që menaxhohet nga shumë pak njerëz. Në këtë model mund të fus edhe LSI dhe PS. Këta njerëz kanë marrë peng Shqipërinë. Unë sapo jam kthyer nga Amerika. Kam takuar shqiptarë, shumica e tyre kishin 2-3 vite që kishin ikur. Flas këtu për profesionistë”, tha Hajdari.

E pyetur nga gazetarja për lajmet që qarkullojnë për përjashtimin e saj nga Nisma Thurje, deputetja sqaroi se nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e organizatës, por i ka mbështetur.

“Nisma Thurje e kemi biseduar. Nisma Thurje është një organizate civile. Unë skam qenë ndonjëherë pjesë e organizatës kanë qenë ata që kanë dashur të angazhohen dhe i kam mbështetur. Nuk arritëm çdo gjë çfarë donim, por një minifitore. Mund të them që ‘Nisma Thurje’ është një organizatë civile. Që u largua Rudina është e pakuptimtë, nuk e kuptoj sepse media merret me këtë. Nuk ka kuptim që një deputete të dëbohet nga një organizatë civile”, u shpreh Hajdari./abcnews.la/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme