“Një vend i vogël është i lehtë të qeveriset dhe vështirë të mbrohet” shprehet De Gol në një thënie të tij.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe përllogaritjet e Monitor, në vitin 2020 Shqipëria kishte 63.9 vdekje për 1 milion banorë nga aksidentet rrugore, nga 43 që ishte mesatarja për vendet e Bashkimit Europian, sipas Eurostat.
Vendi ynë renditet i teti ndër 37 vende në Europë për numrin e vdekjeve nga aksidentet rrugore në raport me popullsinë. Të dhëna i përkasin vitit 2020 dhe janë rezultat i kryqëzimit të shifrave të Eurostat për bashkimin Europian, Instat dhe Transport Community Permanent Secretariat për rajonin.
Më pak aksidente në rajon gjatë 2020-ës janë regjistruar në Kosovë, me 43 humbje jete për milion banorë, po aq sa dhe norma mesatare e Bashkimit Europian. Respektimi i sinjalistikës rrugore nga drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, faktori njeri, fushatat ndërgjegjësuese dhe legjislacioni i ashpërsuar duket se kanë rezultuar pozitivë më mbrojte të jetës për shqiptarët e Kosovës.
Rajoni i pakujdesshëm në rrugë
Në vlerë absolute, numri i vdekjeve nga aksidentet gjatë 2020-s në Shqipëri ishte 181. Krahasuar me vitet e tjera, këto shifra janë tejet të reduktuara, si rrjedhojë e kufizimit të qarkullimit nga Covid-19.
Sipas të dhënave të INSTAT, 23% e të cilave ishin femra. Gjatë të njëjtit vit, u numëruan 1,234 aksidente rrugore gjithsej. Prej këtyre, në 85% të rasteve fajtorë kanë qenë drejtuesit e mjeteve dhe në 15% të rasteve fajtor kanë qenë këmbësorët.
Në fakt, vendet e rajonit kryesojnë renditjen për numrin më të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga aksidentet në rrugë. Në vend të parë renditet Rumania, ku sipas të dhënave statistikore për 2020 kishte 85 vdekje për çdo 1 milion banorë. Ndjekur nga Mali i Zi, në vendin e dytë me 77, Serbia në vend të katërt me 71 dhe Bullgaria me 67, referuar raportit të Transport Community Permanent Secretariat.
Në vendet fqinje si Italia dhe Greqia, norma e vdekjeve nga aksidentet gjatë 2020-s përllogaritet të jetë përkatësisht 40 dhe 54, sipas Eurostat.
Cilat janë shkaqet kryesore të aksidenteve në vend?
Avni Ponari, në një analizë të disa viteve më parë rendit nëntë shkaqe se përse ka kaq shumë aksidente në Shqipëri ndër të cilat përmendim: Drejtimin e mjetit pa praktikat e duhura, humbjen e reflekseve apo e kontrollit të mjetit, infrastruktura rrugore, mjetet e tejpërdorura në rrugët e këqija, mungesa e sinjalistikës në rrugët hyrëse e dalëse, drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit, përdorimi multifunksional i rrugëve të makinave duke kaluar në to kamionë, vetura, lopë e dele, biçikleta pa kriter, mungesa e mbrojtëseve të duhura anësore, vendosja e gomave të përdorura nga drejtuesit e mjeteve, përdorimi i gomave të njëjta si në dimër ashtu dhe në verë dhe së fundmi mungesa e frikës ndaj ligji.
Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, rekordin për numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore, e ka shënuar Letonia dhe Polonia me përkatësisht 73 dhe 66 vdekje për 1 milion banorë atje, sipas Eurostat.
Normat më të larta të aksidenteve me vdekje janë regjistruar në zonat rurale, në vende si: Belgjikë, Bullgari, Greqi dhe zonat periferike të Francës, Polonisë dhe Rumanisë.
E kundërta ka ndodhur me rajonet urbane, të cilat kanë raportuar një numër më të reduktuar të vdekjeve në rrugë. Arsyet sa më sipër lidhen ngushtësisht me shpejtësitë mesatare më të ulëta të lëvizjes se mjeteve në qytete. Qytetet europiane më të sigurta gjatë 2020-ës kanë qëne Stokholmi (5 vdekje/000’000 banorë), Vjena (6 ) dhe Hamburgu (8).
Shifra të larta janë regjistruar edhe në Lituani me një normë prej 63 dhe në Turqi me 59. Vendet e tjera të rajonit, si Kroaci dhe Slloveni kanë regjistruar një normë më të ulët aksidentesh në raport me popullsinë e tyre.
Në Kroaci, numri i të vdekurve nga aksidentet për 1 milion banorë ishte 58, ndërsa në Slloveni përllogaritet rreth 20 më pak. Në të gjithë Bashkimin Europian, gjatë vitit 2020 u regjistruan rreth 19,1 mijë aksidente, mesatarisht 43 aksidente me pasojë vdekjen për 1 milion banorë.
Norma më e ulët e vdekjeve të shkaktuara nga aksidentet është shënuar në Norvegji, ku sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat kishte rreth 17 të tilla për 1 milion banorë. Po ashtu edhe vende si Suedia (me 20), Malta (me 23), apo dhe Zvicra (me 26) janë ndër vendet me normën më të ulët të aksidenteve./monitor/
Të shtëna me armë drejt një makine, plumbat e kapin në kokë,...
Makina përplas kamionin në tunelin “Elbasan-Tiranë”, pas god...
A janë puthur Diana dhe Arioni?
Operacion policor në Universitetin e Elbasanit, dyshohet për...
Izraeli e bombardon jugun e Bejrutit
Murati: Raportimet se shpenzimi për karburante të veturave p...