Rruga Thumanë-Kashar nga sot me pagesë, tarifa deri në 2,52 euro

12:28 | 4 Janar 2025
E.K

Të shtunën, kompania koncesionare që menaxhon autostradën Thumanë–Kashar nisi të aplikojë një tarifë për përdorimin e segmentit rrugor.

Aksi i hapur për qarkullim më fundqershorin e kaluar shtrihet në një gjatësi prej 21 kilometrash. Shpejtësia e projektuar për këtë kategori rruge do të jetë nga 90 në 140 km/orë.

Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, segmentin e përshkuan rreth 2,5 milionë mjete përgjatë periudhës 28 qershor–30 shtator 2024.

Në varësi të llojit të mjetit, tarifa që do të aplikohet për kalimin e këtij segmenti do të jetë 2,1 euro pa TVSH dhe 2,52 euro me TVSH. Deri më tani qarkullimi për mjetet ka qenë pa pagesë, pasi kompania kreu testimet e nevojshme.

“Ky aks ofron një udhëtim më të sigurt dhe më të shpejtë, duke u shndërruar në një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë,” thuhet në njoftimin e koncesioniarit.

Tarifa e kalimit të autostradës së re do të rishikohet çdo vit në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë-euro.

Autostrada është deklaruar se ka një kosto ndërtimi prej afro 270 milionë euro dhe në kontratë parashikohet që të ardhurat e përgjithshme gjatë 35 viteve të arrijnë rreth 1,3 miliard lekë pa TVSH.

Kjo vepër infrastrukturore përbëhet nga dy karrexhata të pavarura, të ndara nga një barrierë sigurie e pakalueshme, secila me korsi, bankinë të shtruar në të majtë dhe korsi emergjence në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, me kontroll strikt të aksesit./rtsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme