Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve e ka përkeqësuar situatën për mijëra familje në kushtet e varfërisë në Shqipëri.
Qarku i Gjirokastrës është nga më të prekurit, ku një pjesë e madhe e familjeve me ndihmë ekonomike jetojnë në zonat ku papunësia prej vitesh është e lartë.
Institucionet shtetërore të mbrojtjes sociale thonë se 6 muajt e fundit kanë rritur ndihmën për familjet me shumë pjesëtarë.
Tregu i sendeve të përdorura është nga vendet më të populluara të Gjirokastrës, një tregues i varfërisë së qindra familjeve që nuk arrijnë të sigurojnë dot të ardhura për të plotësuar nevojat. Por kohët e fundit rritja e çmimeve të ushqimeve po i shtyn qindra familje në kushte mbijetese.
Në një nga lagjet e Gjirokastrës që quhet “Blloku i furrave”, Pëllumb Kuci, 55 vjeç, thotë se është i papunë dhe e shënon emrin në lista për të marrën bukën e përditshme në një njësi ushqimesh fare pranë banesës.
“
Jeta është bërë e vështirë pasi çmimet janë rritur tej mase dhe është e pamundur ta përballosh. Unë aktualisht nuk kam asnjë të ardhur, figuroj i papunë”, thotë ai.
Pëllumbi po përpiqet të gjejë një punë, por është edhe në proces të kërkimit të ndihmës ekonomike në Bashki.
Ai thotë më tej se deri para pak kohësh jetonin në familje me pensionin e të atit, i cili ndërroi jetë.
“Thuaj me atë pensionin e tij rrotulloheshim, ndërsa tani po të vesh tek ai dyqani ushqimor mund të shohësh që e marrim bukën me listë. Është viti 2022 dhe e hamë bukën me listë”, thotë ai.
Majlinda, një fqinje, po kështu është në vështirësi ekonomike në familjen e saj. Ajo e humbi mbështetjen ekonomike në bashki pasi u fut përkohësisht në punë, por tani e ka të pamundur të punojë prej problemeve shëndetësore.
“Kishim atëherë ndihmë ekonomike, por ma prenë se u futa në punë. Tani është shumë e vështirë të ma rikthejnë, megjithëse i kam thënë burrit të shkojë dhe të interesohet në bashki se mos na e rikthejnë pasi unë nuk shkoj më në punë”, thotë ajo.
Majlinda thotë se kërkoi të përfshihej tek personat me invaliditet dhe udhëtoi edhe në Tiranë për të kryer aplikimin, por ende kjo nuk i është aprovuar.
Majlinda , djali dhe bashkëshorti jetojnë tani vetëm me të ardhurat që burri siguron kur punon në kohë të pjesshme ku të mundet.
Banorët e varfër të kësaj lagjeje në jo pak raste i marrin ushqimet me listë, thotë Natasha Shena që shet në një njësi të vogël ushqimore duke treguar fletoren e detyrimeve të klientëve.
“Puna është bërë shumë keq, çmimet janë ngritur, por rrogat nuk janë ngritur; ku do falen të varfërit , tek ne dyqanet e vogla se tek të mëdhenjtë i kanë me lekë, ne i kemi me lista” , thotë ajo.
Natasha thotë se çmimet e produkteve kryesore ushqimore janë rritur dhe kjo rritje vazhdon për artikujt kryesorë ushqimorë.
“Mielli, sheqeri, orizi, vaji edhe makaronat, këto janë rritur . Ka vajtur vaji 4 mijë lekë, sheqeri një mijë e treqind, kryeministri tha do ulen këto të shportës, do ngelen stabël.
Por sot i morëm furnizimet e muajit ne dhe janë rritur, vaji 4 mijë, orizi një mijë e pesëqind, ky më i liri se ai tjetri është me dymijë lekë, edhe bulmeti, kosi,qumështi janë rritur me njëqind lekë sot për litër nga sa ishin muajin e kaluar”, thotë ajo.
Detyrimet në listë, për jo pak familje, Natasha i ka fshirë pasi e kanë të pamundur të paguajnë.
“Nuk kam shpresë. I paguajnë gjysmat e njerëzve, jo të gjithë. Ka të tjerë që nuk paguajnë, kanë dy vjet dhe ikën ato. Herë i fshijmë po na ndihmon Zoti se kemi dhe pak punë dhe ua falim detyrimet. I ndihmojmë edhe njerëzit, p.sh. perimet që ngelen ua japim falas se i besojmë në varfërinë e tyre se edhe ne s`kemi qenë të pasur, të varfër kemi qenë”, thotë ajo.
Në Drejtorinë e Shërbimeve Sociale Shtetërore në Gjirokastër drejtuesja Magdalena Margariti thotë se për periudhën janar-qershor 2022 është rritur masa e ndihmës ekonomike.
“Drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror trajton rreth një mijë familje me ndihmë ekonomike, nga rreth 1100 aplikantë që janë në Qarkun e Gjirokastrës.
Janë mbështetur me dyfishim të ndihmës ekonomike për periudhën janar – qershor familjet që kanë mbi tre fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe 10 % rritje të ndihmës ekonomike kanë përfituar familjet e tjera që trajtohen. Vazhdimisht qeveria ka ndërmarrë programe mbështetëse për këto familje për të përballuar krizën dhe rritjen e çmimeve dhe për t`u ardhur në ndihmë”, thotë ajo.
Zonja Margariti thotë se nuk sheh si zgjidhje për shumë familje ndihmën ekonomike, por punësimin.
“Ajo që dua të theksoj është se ndihma ekonomike nuk është zgjidhja. Ndihma ekonomike është një mbështetje që shteti u jep këtyre familjeve të varfra për të zgjidhur disa probleme. Por nuk mund të ketë mirëqënie duke jetuar vetëm me ndihmën ekonomike. Ne u bëjmë thirrje njerëzve që janë aplikantë tek ne apo përfitues, të orientohen drejt punësimit. Ne po bashkëpunojmë intensivisht kohët e fundit me zyrat e punës për t`i orientuar aplikantët për ndihmë ekonomike, apo përfituesit, në këtë drejtim” , thotë ajo.
Zonja Margariti thotë se zonat më të prekura nga nevojat ekonomike janë ato ku nivelet e papunësisë janë tejet të larta.
“Bashkitë që kanë numrin më të madh të familjeve me ndihmë ekonomike janë Bashkia Memaliaj, Bashkia Tepelenë, Bashkia Këlcyrë ku ndihet më shumë nevoja për mbështetje apo ndihmë finaciare të këtyre familjeve”, thotë ajo.
Ndihma ekonomike në Shqipëri është rreth 80 dollarë në muaj për rreth 62 mijë familje në të gjithë vendin dhe me rritjen e çmimeve kjo shumë është tejet modeste për të pëballuar nevojat.
Sipas të dhënave zyrtare, ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë shënuan rënie 6 muajt e parë të këtij viti në nivel kombëtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Analistët e ekonomisë vlerësojnë se qeveria po dërgon fonde të pamjaftueshme për shtresat në nevojë në raport me mundësitë që janë krijuar nga rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Rritja e ndjeshme e çmimeve, më parë nga pandemia COVID-19 dhe tani edhe nga lufta në Ukrainë, ka shtuar nevojën e familjeve të varfëra që jetojnë në kufijtë e mbijetesës. /voa/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...