E gjithë bota është mbërthyer nga një alarm i rritjes së lartë të çmimeve, që rrezikon të zhvlerësojë rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike që kishte nisur pas pandemisë. Energjia është kthyer në një çështje të nxehtë, me vendet që po luftojnë për të siguruar furnizimet, pas rritjes së shpejtë të kërkesës pas pandemisë.
Ndërprerja në zinxhirët e furnizimit gjatë pandemisë ka rritur ndjeshëm kostot e transportit global.
Zhbalancimi i kërkesë-ofertës dhe pasojat e ndryshimeve klimatike po shtrenjtojnë ushqimet. Efektet pritet të shtrihen në pothuajse gjithë produktet e shërbimet, të paktën në periudhë afatshkurtër, ndërsa në një periudhë më afatgjatë, askush nuk mund të parashikojë se ç’do të ndodhë.
Edhe Shqipëria, në mënyrë logjike, nuk mund t’i shmangej kësaj vale. Në shtator, inflacioni kërceu në 2.5%, niveli më i lartë që nga janari 2017, i udhëhequr nga shtrenjtimi i ushqimeve bazë dhe karburanteve. Konsumatorët po paguajnë më shumë për bukën, orizin, miellin, qumështin, karburantin etj.
Tendenca pritet të vijojë, të paktën në periudhën afatshkurtër. Në shtator, inflacioni i Eurozonës arriti nivelin më të lartë në 13 vjet, në 3.4%. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e çmimeve të mallrave bazë, apo të atyre të konsumit në tregjet ndërkombëtare, ushtron rol të rëndësishëm në përcaktimin e dinamikës së çmimeve në Shqipëri.
Kjo ndodh për shkak të peshës së konsiderueshme që kanë artikujt e importit në shportën e konsumit dhe në strukturën e përcaktimit të kostove në ekonomi (gjithsesi, guvernatori Sejko tha se presionet inflacioniste mund të jenë afatshkurta). Kryeministri Edi Rama paralajmëroi për një rritje të pashmangshme të çmimeve të energjisë, për shkak të krizës së jashtëzakonshme që po kalon Europa (ndonëse u premtua se do të mbrohen konsumatorët dhe shtresat e varfra).
Për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave (31% e mesatares së Bashkimit Europian, ndër të fundit në Europë) dhe peshës së lartë që zënë shpenzimet e ushqimeve në totalin e buxhetit të familjeve (gati 42% në 2020-n) efektet e rritjes së çmimeve në familjet shqiptare pritet të jenë më të mëdha, duke ndikuar negativisht në shtimin e varfërisë në vend.
Ndonëse kjo është një krizë globale, së cilës nuk do t’i shpëtojmë dot, shkalla e ashpërsisë me të cilën mund ta përjetojnë shtetasit e Shqipërisë dhe që u paralajmërua nga Kryeministri, i ka “fajtorët” brenda nesh. Edhe një herë do të dalë në pah paaftësia e qeverisjes për të minimizuar pasojat e krizave, si rrjedhojë e mospërgatitjes për t’u paraprirë situatave të tilla, sidomos në dy drejtime:
-Së pari, në menaxhimin e situatës energjetike. Prej vitesh tashmë dihet se ndryshimet klimatike kërkonin diversifikimin e burimeve të energjisë, përtej asaj hidrike. Por, investimet në energjinë diellore, për të cilat interesi ka qenë i lartë, për vetë klimën e favorshme të vendit, po zvarriten prej vitesh, për shkak të vonesave të miratimit të akteve ligjore. TEC-i i Vlorës mbetet jofunksional.
Banka Botërore, nga ana e saj, paralajmëroi që në janar që për shkak të thatësirave të pritshme (që pritej të kushtonte të paktën 15 miliardë lekë në vit), duhej parablerë energji për të minimizuar humbjet. Por, kjo jo vetëm që nuk u bë, por në emër të situatës së jashtëzakonshme të Europës, po kërkohet të justifikohet rritja e çmimeve.
-Së dyti, përtej retorikës euforike të rritjes ekonomike më së lartës në rajon, ajo nuk ka qenë gjithëpërfshirëse, duke mos ndikuar në uljen e varfërisë. Banka Botërore, në një raport të fundit të vitit 2021, gjeti se Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, me 30.8% të popullsisë që vlerësohet se jeton në varfëri me më pak se 5 dollarë në ditë (sipas fuqisë blerëse) për vitin 2021, më e larta në rajon (e dyta pas nesh, Kosova e ka 24.4%, dhe më i ulëti, Mali i Zi, 16%).
Ky është një tregues i qartë se rishpërndarja e burimeve dhe politikat e investimeve nuk kanë ndikuar në përmirësimin e mirëqenies së familjarëve (për këtë arsye, pesha e shpenzimeve për ushqime vijon të mbetet më e larta në rajon dhe Europë).
Në periudhën afatshkurtër, duket se vendi do t’i “dorëzohet” pasojave që do të sjellë rritja e çmimeve, sidomos te familjet me të ardhura të ulëta. Tregu do t’i bindet kërkesë-ofertës dhe ndërhyrjet e qeverisë me uljen e TVSH-së mund të jenë efektive vetëm për çmimet e administruara (p.sh., energjia elektrike).
Në periudhën afatgjatë, fokusi duhet të jetë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendase, për të ulur varësinë nga importet dhe për të ndihmuar në mirëfunksionimi e zinxhirit prodhues dhe në administrim burimesh energjetike në funksion të mbështetjes së zhvillimit të ekonomisë.
Një pjesë e bizneseve vendase po nxitojnë tashmë ta kthejnë këtë krizë në mundësi, duke ulur varësinë nga importi. I takon qeverisë të ndryshojë përqasjen që ka ndaj prioriteteve të investimeve për t’u orientuar drejt rritjes gjithëpërfshirëse./Monitor
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...