Rritet sërish numri i vatrave të zjarrit gjatë 24 orëve të fundit

11:20 | 26 Gusht 2017
Arbresh.info

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 14 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 135 punonjës zjarrfikës, 16 automjete zjarrfikëse, 80 forca ushtarake, rreth 100 punonjës të Pyjores e të bashkive dhe vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU SHKODËR

Vijojnë të jetë aktiv zjarri në pyllin me pisha në fshatin Karmë, të Pukës. Forcat zjarrfikëse të mbështetur nga punonjës të pyjores kanë punuar deri në orët e mbrëmjes, por pa arritur të izolojnë flakët. Terreni i thyer dhe era e fortë kanë favorizuar përhapjen e zjarrit duke përfshirë dhe një pjesë të zonës pyjore të fshatit Dush. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me pyll pishe.

Në lagjen nr.4 të qytetit të Shkodrës ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pisha. Zjarri ndodhej pranë banesave. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë e zjarrit u dogjën shkurre e ferra dhe 20 pisha.

Në fshatin Pjetroshan, Malësi e Madhe ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 2 ha me shkurre dhe pisha.

QARKU DIBËR

Vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Lenë, Bulqizë. Ditën djeshme zjarri i favorizuar nga era është përhapur në drejtim të fshatit Peshk dhe Ndërfushas. Shërbimi zjarrfikës i mbështetur nga forcat e ushtrisë, ato të pyjores dhe banorë të zonës kanë izoluar vatrat e zjarrit në fshatin Peshk dhe Ndërfushas, si dhe disa vatra zjarri në fshatin Lenë, duke shpëtuar banesat. Në orët e para të mëngjesit është ndërhyrë edhe me anë të helikopterit për shuar vatrat e zjarrit.

Në Parkun Kombëtar të Lurës në zonën e Liqenit të Zi dhe Liqenit të Madh ka pasur disa vatra zjarri. Forcat e pyjores dhe disa vullnetarë kanë punuar për shuar flakët ndërkohë në ndihmë ka shkuar edhe një helikopter i cili ka bërë të mundur fikjen e zjarreve.

Në fshatin Gurrë e Madhe, Klos ka rënë zjarr në pyll dushku dhe ahu. Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 25 forca ushtarake të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 2 ha me pyll dushku dhe ahu.

QARKU LEZHË

Në fshatin Perlat Qendër, Mirditë ka rënë zjarr në zonë pyjore me dru lisi. Zjarri ka rënë në një terren të thyer dhe i favorizuar nga era e fortë ka rrezikuar banesat e fshatit. Si pasojë e tymit të krijuar nga zjarri një banor i fshatit pësoi gjendje asfiksie dhe u dërgua menjëherë me helikopter në Spitalin Rajonal të Rrëshenit. Forcat në terren vazhduan punën dhe në orët e mbrëmjes duke izoluar të gjithë vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe me shkurre dhe pyll lisi.

Në fshatin Skuraj, Kurbin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre. Për izolimin e vatrave të zjarrit kanë punuar me mjete rrethanore deri në mbrëmje forca zjarrfikësve të Kurbinit, të pyjores, ushtria të mbështetur dhe nga një helikopter. Operacioni për shuarjen e flakëve vijon edhe gjatë ditës së sotme.

QARKU FIER

Në qytetin e Patosit ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë izoluar. Si pasojë u dogjën shkurre dhe ferra.

Në Qafën e Lalërit në Patos ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe rreth 100 rrënjë ullinj.

Në fshatin Peshtan i Vogël, Fier ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë u dogj rreth 5 ha me shkurre dhe ullishte.

Në fshatin Radostinë, Fier ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Shërbimi zjarrfikës ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës të cilët të ndihmuar dhe nga disa banorë të zonës kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj rreth 1.5 ha me shkurre dhe ullishte.

QARKU VLORË

Në fshatin Finiq ka rënë zjarri në një sipërfaqe me pyll Dushku. Zjarri ka rrezikuar edhe Parkun Arkeologjik. Në mbështetje të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 25 forca ushtarake dhe 1 automjet zjarrfikës. Zjarri është shuar gjatë mbrëmjes. Si pasojë u dogj rreth 3 ha me shkurre dhe pyll dushku.

QARKU GJIROKASTËR

Në fshatin Suhë, Libohovë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarri i favorizuar nga era është përhapur në drejtim të banesave të fshatit Suhë dhe Stegopull. Zjarrfikëset së bashku me banorët e zonës kanë bërë të mundur që deri në orët e vona të natës të izolojnë zjarrin që ka rrezikuar banesat e të dy fshatrave. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe bar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme