Djegia e makinave dhe hedhja e tyre në erë është bërë shqetësuese për banorët dhe biznesin e turizmit në Vlorë, ndërsa mungesa e autorëve për këto krime të cilësuara nga policia si mesazhe paralajmëruese ka shtuar pasigurinë.
Pesë makina u dogjën të parkuara para një kompleksi pallatesh në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë më 26 shkurt. Policia njoftoi se ngjarja, ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit. Zjarrvënia u përcaktua si e qëllimshme. Pranë makinave u gjetën dy bidonë 5 litërsh me benzinë, me të cilët dyshohet se u spërkatën automjetet para se tu vihej flaka.
Policia identifikoi si shenjestër të mundshme makinën e drejtorit të Shërbimeve në Bashkinë e Vlorës, Gentian Sherifaj. Ngjitur me të ndodheshin makina e bashkëshortes dhe tre mjete të tjera të cilat po ashtu u dogjën.
Sherifaj, i cili është edhe në hetim nga prokuoria e Vlorës për koncensionin e parkimeve, mohoi i pyetur nga policia të kishte konflikte që mund të kishin sjellë këtë akt. Sherifaj refuzoi të komentonte ngjarjen për BIRN.
Djegia e makinave të Sherifajt dhe tre personave të tjerë nuk është ngjarje e veçuar. Në të njëjtën zonë të Vlorës në fund të janarit u dogjën 3 makina. Sipas policisë makinat një Smart dhe një Audi ishin në pronësi të Ervis H., ndërsa një Land Rover është në pronësi të hallës së tij. Pronarët e makinave të djegura kanë në bashkëpronësi një lokal pranë gjykatës së Vlorës, ndërsa policia bëri me dije se zjarrvënia është e qëllimshme pasi makinat nuk ishin pranë njëra tjetrës.
Për asnjë prej ngjarjeve policia nuk ka njoftuar arrestim autorësh. Ndërkohë në dy vitet e fundit 2017-2018 BIRN identifikoi 19 raste zjarrvënie dhe shkatërrimi makinash apo dyersh shtëpie përmes eksplozivëve në qytetin e Vlorës. 7 në vitin 2017 dhe 12 në 2018-tën. Dy persona janë plagosur rëndë prej këtyre atentateve.
Statistikisht policia nuk i ndan këto ngjarje nga djegia e kullotave dhe pyjeve duke i klasifikuar si “shkatërrim prone”, megjithëse motivet e tyre janë të ndryshme. BIRN mësoi ndërkohë se numri në rritje i atentateve paralajmëruese nuk është shoqëruar me zbulueshmëri. Nga të dhënat prej Gjykatës së Rrethit Vlorë, asnjë prej rasteve nuk është dërguar për gjykim dhe sipas policisë e prokurorisë shumica e tyre janë pa autorë.
Situata ka alarmuar operatorët turistikë. “Vlora është qytet turistik, nuk mund të identifikohet vazhdimisht si qytet krimi”, i tha BIRN Vasil Bedinaj, kreu i shoqatës së operatorëve turistikë për Jugun e vendit.
Për banorë të Vlorës ajo duhet të ndryshojë menjëherë, ndërsa ka mbjellë pasiguri edhe për të dalë në rrugë. Hajrie Shabani, i tha BIRN se qyteti kishte humbur sigurinë. “Nuk dimë çfarë mund t’ju ndodh fëmijëve në rrugë. Kjo situatë me këto vrasjet e tritolet nuk është normale”, thotë Shabani.
Bedinaj beson se problemi qëndron te policia lokale. “Ne si shoqatë turizmi kërkojmë nga Ministria e Brendshme spastrimin e ekponentëve të policisë të cilët janë dorëzuar përpara personazheve të krimit. Mendojmë se është shumë e thjeshtë të dënohen keqbërësit nëse kemi punonjës policie me integritet e të pa përlyer”, tha Bedinaj.
Fajin te zbuleshmëria e ulët e krimit e gjen edhe kreu i gjykatës së Vlorës Skënder Haluci. Haluci tha se zbuleshmëria e këtyrë “ngjarjeve kriminale nga ana e policisë dhe prokurorisë është “zero”. Haluci thotë se vetëm “rritja maksimale e zbulueshmërisë dhe krimit”, mund të sjellë reduktim të këtyre ngjarjeve.
Por policia thotë se përdorimi i zjarrit dhe eksplozivit nuk lë pas shumë gjurmë dhe se megjithë përpjekjet, një pjesë e mirë e këtyre ngjarjeve mbeten pa autorë. I pyetur nga BIRN, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës, Gentjan Shehaj tha se zbulimi i këtyre ngjarjeve ishte mjaft i vështirë. “Kjo është një problematikë e evidentuar edhe në qarqe të tjera të vendit”, tha Shehaj.
Sipas drejtuesit të policisë zgjidhje do ishte paisja “me kamera sigurie e qyteteve kryesore të vendit”. Megjithatë kamerat edhe në rastet kur kanëe filmuar ngjarjen nuk kanë shërbyer shumë për ta zbardhur atë.
BIRN mësoi se policia nuk kishte hetues të specializuar në këtë fushë dhe se megjithëse kishte ekspertë kriminalistë laboratori i vetëm për gjurmë daktiloskopike ndodhej në Tiranë. Në kofidecialitet punonjës të policisë pranuan se motivet kryesore të këtyre atentateve janë pazaret e prishura të drogës apo përfshirja në aktivitet kriminale, kjo ka bërë që në shumicën e rasteve viktimat nuk kanë denoncuar autorë të mundshëm.
Sipas policisë në pjesën më të madhe të rasteve personat që goditen prej këtyre akteve nuk pranojnë të kenë konflikte. Ndërkohë që kryesisht për policinë djegia e makinave apo vendosja e tritolit janë mesazhe të koduara që lënë pak gjurmë dhe nuk zbardhen pa bashkëpunim të viktimave./BIRN
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç