Rritet numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

11:42 | 22 Mars 2020
Arbresh.info

Ka shkuar në 89 numri i të prekurve me COVID-19.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, informoi mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri.

“Në vijim të komunikimit të përditshëm më Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 33 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19:
– 8 qytetarë nga Tirana, 1 nga Kavaja, 1 nga Durrësi dhe 3 qytetarë nga Korça.

Deri në këto momente janë testuar 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 89 raste.
Nga totali i rasteve të konfirmuara, 58% janë meshkuj dhe 42% janë femra. Mosha mesatare e totalit të rasteve pozitive është 48 vjeç. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

• Tiranë 63 qytetarë
• Durrës 6 qytetarë
• Lushnje 2 qytetarë
• Elbasan 2 qytetarë
• Fier 8 qytetarë
• Rrogozhinë 2 qytetarë
• Kavajë 3 qytetarë
• Korçë 3 qytetarë

Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.

Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.
Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë.
4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 54 vjeç.

Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.
Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së këtij transmetimi, qytetarët kanë një rol thelbësor. Qytetarët duhet të vazhdojnë të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!
Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme