Rritet numri i grave që humbën jetën në aksidente

23:47 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

Gjatë vitit që lamë pas rrugët e Shqipërisë u përgjakën nga aksidentet rrugore. Sipas shifrave zyrtare të policisë mbetën të vdekur 212 persona 11 më pak se 2017. Por shqetësim mbetet fakti se ka pasur rritje me gati dyfish të numrit të aksidenteve fatale për femrat që kanë qenë në drejtim të automjetit në 2018 krahasuar me 2016. 

Numri i viktimave nga aksidentetet rrugore në Shqipëri i ngjan një bilanci të vërtetë lufte. Kështu nis edhe 2019-a. Një i aksidentuar për vdekje në aksin Levan-Tepelenë. Edhe pse shifrat e aksidenteve fatale publikohen me ulje nga policia Rrugore, përsëri vdekshmëria përgjatë 2018-s dhe 2017-s ka qenë disa herë më e lartë krahasuar me standardet e vendeve të Bashkimit Europian për numër popullsie. Mesatarisht janë regjistruar dy aksidente me vdekje çdo tre ditë.

Zyrtarisht në 2018-n vdiqën 212 persona në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa për 2017-n kjo shifër ishte 223, pra 11 më shumë. Ajo që është më shqetësuese për ekspertët e Policisë Rrugore lidhet me rritjen e numrit aksidenteve fatale për drejtueset femra. Në vitin që lamë pas, 44 gra humbën jetën nga aksidentet rrugore. Policia thotë se në 2017-n kanë vdekur 36 femra dhe në 2016 kjo shifër ka qenë 24. Vdekshmëria e grave që ishin në drejtim të automjeteve u rrit me gati dyfish për dy vitet e fundit, duke i kapur të papërgatitur drejtuesit e Policisë Rrugore.

Këta të fundit në fushata të vazhdueshme gjatë 2018-s kanë gjobitur dhe prangosur shumë drejtuese femra që ishin të dehura në timon apo edhe për tejkalim shpejtësie, por përsëri kjo gjë nuk ka ndikuar në ulje e aksidenteve me vdekje. Muaji më i përgjakshëm i 2018-s ka qenë gushti. Sipas shifrave zyrtare, 27 persona humbën jetën. 32 u plagosën rëndë dhe 129 të tjerë lehtë. Sipas specialistëve, aksidentet rrugore, në 80 për qind të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e gabimit të drejtuesve të mjeteve, teksa grupmosha që ka kryer më shumë aksidente janë nga 25 deri në 35 vjeç./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme