Rritet numri i fëmijëve të prekur nga fruthi në Shqipëri

16:38 | 29 Janar 2019
Arbresh.info

Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se numri i të prekurve nga fruthi përgjatë muajit janar ka arritur në 41 persona.

Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja të fëmijëve të prekur me fruth. Kryesisht ato janë fëmijë të moshës nën 2 vjeç, të cilët nuk kanë aplikuar vaksinën e fruthit”.

Ekspertët e shëndetësisë pohojnë se e favorizuar edhe nga situata gripale sëmundja po përhapet, duke shënuar çdo ditë raste të reja. Shumica e të infektuarve janë nga Tirana. Gjithashtu nuk mungojnë edhe rastet ku sëmundja është marrë jashtë Shqipërisë, përkatësisht 3 vijnë Greqia dhe 1 nga Kosova. Deri më tani nuk ka asnjë rast të infektuar tek të rriturit.

Fruthi konsiderohet një sëmundje infektive, e cila mund të shkaktojë komplikacione të rënda deri në humbjen e jetës. Si pasojë e këtyre komplikacioneve, një javë më parë një foshnje 4 muajshe ndërroi jetë në Spitalin Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Mjekët thonë se vaksinimi mbetet forma e vetme e mbrojtjes nga kjo sëmundje. Vaksina e fruthit, injektohet tek fëmijët në dy doza, 1 dhe 5 vjeç.

Fruthi u rikthye në vendin tonë një vit më parë ku shënoi mbi 1000 të prekur dhe tre vdekje./syrinet

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm