Policia e Sarandës arrestoi të premten një Kryeinspektor të policisë, i akuzuar për marrëdhënie seksuale dhe prostitucion me të mitur.
Policia e identifikoi efektivin me inicialet P. R, 63 vjeç dhe sipas njoftimit ai është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur 13-vjeçare në mjediset e përshtatura për shfrytëzim prostitucioni nga një shtetas tjetër.
Policia e Sarandës tha se janë sekuestruar 2 automjete, 4 celularë dhe një vlerë monetare e dyshuar si e përfituar nga veprimtari kriminale.
Policia tha se hetimi kishte nisur një muaj më parë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës dhe personat e arrestuar në flagrancë akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Shfrytëzim i prostitucionit”,
“Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Ndërkohë, policia e Vlorës njoftoi të premten se arrestoi në flagrancë një shtetas 54-vjeçar, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht mbesën e tij 11-vjeçare. Policia e identifikoi personin e arrestuar me inicialet A.D, duke e akuzuarpër veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Po të premten policia e Gjirokastrës tha se arrestoi në Tepelenë një 34-vjeçar, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur 17-vjeçare.
Dy javë më parë policia arrestoi në Gjirokastër një 53-vjeçar, pasi dyshohej se në periudha të ndryshme kohore kishte kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur 16-vjeçare.
Raportimet e policisë vijnë në një kohë kur në Shqipëri vijojnë reagimet e forta të opinionit publik ndaj vrasjes brutale të një fëmije 8-vjeçar në Fier, tre ditë më parë.
Policia tha se Klodian Çalamani, autori i vrasjes, u zhvendos në paraburgimin e Vlorës nën masa të rrepta sigurie pas tensioneve të familjarëve dhe një grupi banorësh në Gjykatën e Fierit, ditën kur ishte seanca e parë.
Familjarë dhe të afërm të Mateos hynë me forcë në gjykatë të enjten, kur pritej masa e sigurisë ndaj autorit dhe të revoltuar kërkuan dënimin me vdekje të tij. Sipas të dhënave zyrtare, krimet dhe keqtrajtimet ndaj të miturve në Shqipëri kanë shënuar rritje vitet e fundit.
Sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për Kriminalitetin, në Shqipëri u regjistruan vitin e kaluar 48 procedime për keqtrajtim të të miturve nga 27 që ishin regjistruar në vitin 2019, me një rritje prej rreth 78%.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupine veprave penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes për vitin 2020 është rritur në 3,55 %, nga 2,18% që ka qenënë vitin 2019.
Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndërveprim të institucioneve përgjegjëse për trajtimin e fëmijëve duke vendosur edhe krijimin e një regjistri të posaçëm për kategoritë e fëmijëve që dhunohen.
Sipas statistikave zytare në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur mbi 300 sulme seksuale ndaj të miturve. Ekspertët thonë se dhuna seksuale mendohet të jetë në shifra më të larta, pasi sipas tyre ajo nuk raportohet në shumicën e rasteve./VOA
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...