Xhilda Leka, një e re nga Tirana, tregon se ish partneri i saj sirian i ka rrëmbyer të birin 3-vjeçar, Omarin. Ajo tregon se ka bashkëjetuar 4 vjet me babanë e fëmijës në Libi e Turqi, vite gjatë të cilëve ai e ka dhunuar e detyruar të mbulohej me shami.
Nga kjo situatë u ndanë lehtësisht, pasi nuk kishin bërë celebrim. Por në muajin gusht të këtij viti, babi kërkon të rrijë dy javë me të birin e nuk e kthen më kurrë. Ai kërcënon çdo ditë Xhildën, se nuk ka për ta parë më fëmijën, pasi ai nuk do t’ia kthejë kurrë.
Xhilda dhe babi i saj, Viktor Leka, bënë denoncim në Komisariatin numër 6, nga ku çështja kaloi në Komisariatin numër 2, por asnjë rezultat.
“Unë nuk kam ndenjur një ditë pa çunin, jo më një muaj e gjysmë. Është duke më ikur truri. I jam drejtuar emisionit “Stop” sepse e di që është e vetmja zgjidhje që mund të më gjejë djalin, sepse shteti jonë ka 1 muaj e gjysmë dhe akoma asgjë nuk ka bërë. Kudo ku drejtohem më thonë e ka baba”, thotë Xhilda.
E reja tregon edhe historinë e saj.
“Unë para 7 vitesh jam njohur me këtë shtetas sirian. Katër vitet e fundit kam jetuar në Turqi, me familjen e tij. Ky normal, në Londër. Nuk kemi bashkëjetuar kurrë, që të them se e kam burrë. Vetëm me emër. Celebrim nuk kam me të. Kërkoheshin shumë letra dhe ky ngaqë është sirian nuk kishte nga t’i sillte letrat, jemi të martuar thjeshtë me hoxhë. E pata vënë shaminë, me mendimin që do të përshtatesha. Linda dhe një fëmijë, është sot 3 vjeç. E ka atësinë… I ati e ka rrëmbyer sepse nuk e duroi dot që i thashë nuk do të vazhdoj më me ty. Ndarja ka qenë thjesht me fjalë, paqësore… Në fillim ishte shumë i mirë, i dashur, pastaj kishte shumë dorë. Më ka rrahur, ja ku i kam fotot e nxira me djalin. Kam gjithë ato të nxira që më ka rrahur e më ka zhdëpur në dru, si i thonë. Ja edhe këtu kam qenë e mbuluar me shami.
Nuk u përshtatesha dot jetesës së tyre se ishin shumë fanatikë. Më e frikshmja ishte se ishte si tip kamikazi, më thoshte shko në luftë ti, shpërthe sepse bie shehide. Mua mu fut frika, sepse athua se ishte me ISIS. Dhe e ndodhur në këto kushte më mirë thashë po iki në Shqipëri thashë se kushedi se ca mund të më bëjë. Erdhi në fillim të muajit Gusht, se gjasme do të kalonte disa ditë me fëmijën e vet. Si një nënë, mos me e nda fëmijën nga baba, e besova, ia lashë. Do e mbante dhe të nesërmen do të vinte këtu me shku tek hoteli që kishte rezervuar në plazh me kalu dy javë. Unë erdha në shtëpi kur nga ora 9 më dërgon mesazh: ‘unë e mora djalin, nuk ke me e pa më, është më e mira e mundshmes, nuk e lë dot me jetu me ty, më mirë të rrijë me babin e vet’. Kur e pashë këtë mesazh, mua mu bë gjithçka e errët”.
E pyetur nëse ka pasur ndonjë komunikim që prej asaj kohe, e reja thotë: “Po po, ai përditë më shkruan. Madje edhe pardje më ka dërguar foto në WhatsApp. Ne jemi mirë më thotë, si është jeta jote? A vazhdon thotë…ofendime. Unë thotë i kam gjet fëmijës tim nënë, që falet 5 herë në ditë, jo si ti. Ti s’ke me e pa më, thotë, ta harrosh. Ti s’ke shanse thotë me e pa më. Ja ku janë mesazhet. “Unë kam humbur gjithçka e prapë do humb çdo gjë e fëmijën tim s’ta le ty.” Ja ku e ke mesazhin. U bë një muaj e gjysmë që unë nuk e shikoj. Që me 3 Gusht. Kam ngel, vetëm duke i marr rrobat dhe duke ia puth.
Gazetarja: Çfarë kërkon?
Xhilda Leka: Unë kërkoj drejtësi. Unë dua të më gjendet fëmija im. Ku është shteti? Të çohet shteti në këmbë se është 3-vjeç. Të vijë një sirian dhe të bëjë gjithë këtë rrëmujë këtu, edhe shteti të mos bëjë asnjë gjë? Prandaj ju drejtova edhe ju, sepse kam shumë besim tek “Stop”-i dhe vetëm ju mund ta zbardhi këtë çështje.
“Do të na detyrojnë të kalojmë në vetëgjyqësi, kjo është e gjitha”, thotë babai i vajzës, Viktor Leka. “I thonë që me datë 4 Gusht që është bërë denoncimi.”
Xhilda Leka: Kam shkuar tek gjashta që kam bërë denoncim, për këtë më ndihmoi edhe babai.
Viktor Leka: Dolëm direkt në lëvizje, të nesërmen marr në telefon shefin e krimeve dhe e pyes se çfarë u bë për këtë punë? Viktor më tha, çështja na është hequr neve dhe i ka kaluar komisariatit numër 2. Vajta tek komisariati numër 2, u arrit asgjë.
Gazetarja: Kishte kaluar kufirin shqiptar? Është parë në sistemin TIMS, apo është brenda në Shqipëri?
Viktor Leka: Ai nuk ka kaluar sepse emri i tij iu dha të gjitha pikave të kalimit. Unë dyshoj se ai është jo në Shqipëri, por në Tiranë, madje edhe në Yzberisht.
Xhilda Leka: Po, po, në Yzberisht, ka njerëz që na kanë thënë e kanë parë, madje edhe fëmijën e kanë pa me një femër me shami që fëmijën e nxjerr tek lodrat.
Gazetarja: Ku i keni zbuluar këto?
Xhilda Leka: Vetë, vetë, se shteti nuk zbuloi gjë.
Viktor Leka: Unë kam arrit deri aty sa me ba edhe detektivin vetë. Duke parë se s’po na jepet asnjë informacion e asgjë. Kaq e vështirë qenka për të gjetur, të rrëmbehet një fëmijë. Nuk mund ta klasifikojmë rrëmbim thoshte sepse e ka marr i ati. Ore kushdoqoftë…
Gazetarja: Në momentin që babai i dërgon mesazhe nënës që “ti nuk do ta shohësh më fëmijën tim” çfarë është ajo? Është rrëmbim, apo jo?
Xhilda Leka: Nuk është kërcënim ai, thjeshtë e ka nga nervat thoshte, e ka inatin me ty, por do ta sjellë. Troç, kështu ma kanë thënë.
Gazetarja: D.m.th ti je duke pritur?
Xhilda Leka: Po, po, unë jam duke prit gomar të dalë bar si i thonë. Derisa ta çojë në Siri fëmijën tim, kushedi çdo i bëjë, ta çojë me ISIS a kushedi. Edhe ky terrorist është. Ec e merre vesh se çka i bën fëmijës tim. E nuk e shikoj më. Çfarë të më bëjë shteti mua pastaj?
Viktor Leka: Pas 48 orësh, çështja i kaloi Prokurorisë së Tiranës për ndjekje.
Xhilda Leka: Prokuroria asgjë nuk po bën, jo do hidhet shorti sot, jo do hidhet shorti nesër. Shorti as nuk po hidhet dhe asgjë. E kanë lënë si në heshtje.
Duke qenë se tek ky komisariat nisi denoncimin nëna e 3-vjeçarit për rrëmbim, atëherë “Stop” iu jemi drejtua Komisariat numër 6 dhe komunikoi me OPGJ, Isa Ahmetaj.
Gazetarja: Unë interesohem për një rast, nuk e di a të kujtohet, është bërë denoncimi këtu më 4 Gusht për rastin e një fëmije të vogël, rrëmbim nga i ati.
Isa Ahmetaj –Ai siriani? Neve jemi bërë copash, për ta gjetur atë fëmijë. Dosja është ne Prokurori dhe veprimet tona, janë tek dosja. Nuk mund t’i nxjerrim sekretet e fëmijës. Më vjen keq!
Nëpërmjet kamerës së fshehtë të emisionit “Stop”, vetë qytetarja i drejtohet Komisariatit numër 2 dhe aty komunikon me OPGJ-në e çështjes.
Qytetarja: Shefi ça bone? Si je?
OPGJ Rajoni 2: Mirë!
Qytetarja: Çfarë u bë me rastin e Omarit?
OPGJ Rajoni 2: S’kena lanë vend mo.
Qytetarja: Si s’kena lan vend? Po vete 1 muaj e gjysëm o shef. Ca po bëhet?
OPGJ Rajoni 2: E kam cu në Prokurori tashi.
Qytetarja: Po si ka mundësi? 1 muaj e gjysëm o shef dhe asnjë gjë s’është bërë?
OPGJ Rajoni 2: E kupton ti, që aq stres m’ka dhënë, saqë dhe plaku çfarë ke më thonjte muve. Nuk i folsha njeriu n’shpi.
Qytetarja: Me rezultate as nga Policia s’kam pa, as nga Prokuroria. Prokuroria pse s’e ka vënë numrin në përgjim?
OPGJ Rajoni 2: Nuk jam unë kompetent për atë pjesë.
Qytetarja: Ja këto janë fotot, që i ka bë, mu ka çu të reja. Kontakton përditë me mua, thotë s’ke me e pa më fëminë, s’ke ashtu, s’ke kështu. Ai është këtu në Shqipëri, në Tiranë fare.
OPGJ Rajoni 2: Në Shqipëri e gjejmë, po ai thotë, që është në Kosovë.
Qytetarja: Çfarë Kosove? Ai është parë këtu në Mëzez.
OPGJ Rajoni 2: Kush Mëzez?
Qytetarja: Po është aty në Yzberisht, edhe fëmija edhe ky.
OPGJ Rajoni 2: Pse s’e ke njoftu zonën, ku është Komisariati atje.
Qytetarja: Po, sepse s’e kam parë vetë, se ta kisha parë vetë… Po me të pytme.
OPGJ Rajoni 2: Informacionin më të vogël, gjënë më të vogël. do të marr xhajen.
Gazetarja: Alo?
OPGJ Rajoni 2: Përshëndetje!
Gazetarja: Unë jam Odeta, gazetare e emisionit “Stop”.
OPGJ Rajoni 2: Po!
Gazetarja: Interesohem për rastin e rrëmbimit të 3-vjeçarit, nuk e di nëse të kujtohet, Xhilda Leka e ka bërë denoncimin, nëna e 3-vjeçarit, ndaj një shtetasi sirian.
OPGJ Rajoni 2- Po!
Gazetarja- Juve keni qenë OPGJ-ja i çështjes, çfarë keni bërë me këtë rast zotëri?
OPGJ Rajoni 2: Për këtë rast kam bërë verifikimet e mia, ia kam nisur edhe Prokurorisë këtë pjesë.
Gazetarja: Kush është prokuror i çështjes?
OPGJ Rajoni 2: Nuk e di!
Gazetarja: Kam informacione që shtetasi sirian, babai i fëmijës i cili e ka rrëmbyer 3-vjeçarin dhe e ka marrë nga krahët e nënës, ndodhet në Shqipëri.
OPGJ Rajoni 2: Po!
Gazetarja: Keni bërë kërkime gjatë kësaj kohe?
OPGJ Rajoni 2: Unë po bëj çmos. Dëgjo! Dëgjo Bledin! Unë po bëj çmos për këtë pjesë, për arsye, sepse jam ndjerë më keq, sepse e përjetoj si për fëmijën tim. Jemi bërë copash për këtë pjesë, për ta gjetur. Me kërkimet e mia kam shkuar, më kanë çuar deri diku dhe juve s’mund t’ua jap këtë pjesë. E kupton, që dikë, që kam takuar për këtë dhe është në Kosovë. Po vazhdoj akoma kërkimet, për të parë, ku mund të jetë.
Gazetarja: Nuk i ka mundësitë policia shqiptare, në bashkëpunim me prokurorinë që të verifikojë dhe të gjurmojë telefonin e personit, sepse ai komunikon akoma me ish-bashkëjetuesen e tij, i dërgon foto të djalit, komunikime në WhatsApp.
OPGJ Rajoni 2: Patjetër, patjetër, patjetër, që ka në këtë pjesë.
Gazetarja: Po pse nuk është bërë deri më sot, sepse ka një muaj.
OPGJ Rajoni 2: Ta thashë edhe njëherë, që për këtë pjesë jam bërë copash, sepse e ndjej si për fëmijën tim.
Gazetarja: Ça është bërë konkretisht?
OPGJ Rajoni 2: Nga verifikimet e mia, ky ka qenë tek një qendër azil kërkuesish, mos gaboj në Babrru edhe ka ndenjur disa minuta aty dhe ka dalë aty bashkë më fëmijën dhe nuk e kam parë, sepse nuk ka kamera në atë zonë.
Gazetarja: Sipas informacioneve që ke është në Kosovë apo në Babrru?
OPGJ Rajoni 2: Unë po interesohem me këtë pjesë, sepse është një foto, që është bërë në një pastiçeri dhe po merrem me këtë pjesë, ku mund ta gjej këtë pastiçeri. A është në Tiranë, apo është diku jashtë Tirane, sepse dhe ky është shpallur edhe në kërkim nga Komisariati 6 dhe nga kufiri dhe ky zotëri nuk ka dalë.
Gazetarja: Ky është lajmi më i mirë, që është brenda për brenda dhe të mos gjendet.
OPGJ Rajoni 2: Jam dakord me këtë pjesë, që thua, por unë po bëj çmos për këtë pjesë si djalin tim. Unë po merrem me pjesën time, pjesa tjetër është e Prokurorisë.
Gazetarja: Ju lutem, çfarëdolloj informacioni, do ta ndjekim deri në fund, të kemi komunikime bashkë.
OPGJ Rajoni 2: Patjetër!
Gazetarja: Ju përshëndes, gjithë të mirat.
Nëpërmjet kamerës së fshehtë, vetë qytetarja interesohet tek prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë.
Qytetarja: Mua më ka humbur djali 3 vjeç dhe i ka ardhur Prokurorisë çështja, që më 5 gusht.
Sekretarja: Vajzë, Prokurori, jo se nuk të pret vetë, por se duhet t’i bësh një kërkesë. Bëji një kërkesë! Lër një takim me Prokurorin! Emër, mbiemër, firmë, fotokopjen e kartës së identitetit dhe sille tek Sekretaria! Nesër i shkon Prokurorit mbi tavolinë.
Pas interesimit të qytetares dhe shkresës së bërë tek ky institucion, interesohet edhe “Stop”.
“Mësuam se brenda 48 orësh pas denoncimit të bërë në komisariatin numër 2, dosja iu dërgua prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë. Por, duke qenë se ishte muajit Gusht, ku është sezon veror dhe shumica e prokurorëve marrin leje, atëherë kjo dosje iu caktua prokurorëve të gatshëm. Këta të fundit me sa duket e kanë lënë në harresë, dhe duhej të prisnin datën 13 Shtator, ditën e shortit, kur edhe u caktua prokurori i çështjes, Leonard Filopati. Tani jemi në pritje se çfarë do të hetojë ky i fundit”, thotë gazetarja. /tvklan.al/
Babi raporton në polici se djali i tij i mitur u rrah nga di...
Zhduket një grua në Gjakovë
Gruaja nga Gjakova raporton në polici për mospërkujdesje mje...
FSK realizon për herë të parë kursin e karrierës për kapiten
Bukuritë vjeshtore në parkun natyrorë të Qafshtamës, Kumbaro...
I dërguari i SHBA-së mbërrin në Bejrut, Libani e Hezbollahu ...