Rrëfimet tronditëse nga eskortat e Tiranës

23:49 | 19 Mars 2022
Trina Galanxhi

Jeta e natës, klubet, makinat, shishet e alkoolit dhe vajzat e bukura kanë qenë gjithmonë një formë puzzle-i ku asnjëra nuk bënte pa tjetrën. Ndoshta ky është ndër të paktat raste që paragjykimi rezulton i vërtetë, burra të pasur që shpenzojnë pa limit dhe vajza të bukura që bashkohen në shtrat. Ky është tregu i ri seksit. Prostitucion i një lloji tjetër, eskortë.

Vajzat janë të reja, zakonisht studente, të tërhequra nga dëfrimi dhe paraja e lehtë. Modelet janë më të preferuarat dhe më vulnerabël, kjo për shkak të aksesit të palimituar të tyre në party, por edhe brenda disa tipareve që këta burra preferojnë. Ata duan vajza të reja padyshim, të hijshme dhe shumë feminine. Vajza me trupin më të bukur se fytyra. Kështu tregon A. për Gazetasi.al, një ndër vajzat e këtyre festave, tashmë “rekrutuese e vajzave të reja” në kryeqytet.

“Kudo të shkosh, ka gjithmonë një vajzë a djalë që bën një gjë të tillë ose të paktën njeh dikë. Është shumë e lehtë për të krijuar një rrjet dhe janë pak a shumë, gjithmonë të njëjtët njerëz”,-tregon ajo. E reja shprehet se ky rrethi i pafundmë nisi rastësisht. “Burra që njihja që vinin baste për vajza që unë njihja, deri sa unë dhe lekët hymë në mes. Ka vajza që mjaftohen edhe me vetëm darka, party apo ndonjë dhuratë, pa para cash. Ashtu siç ka dhe burra që mjaftohen vetëm me shoqërinë e një vajze të re, të veshur bukur, me paratë e tij”.

Ndonëse A. nuk e pranon, ky është definicioni i fjalës “eskortë”. Eskortat, referuar punonjësve të seksit, janë vajza që nuk merren me këdo, kudo. Janë vajza që, në fakt nuk janë vetëm për seks. Janë për biseda, janë për shoqëri, janë për sy. Janë dhe të shtrenjta.

“Ne nuk kemi ndonjë paketë çmimesh sepse vajzat e caktojnë dhe vetë për aq kohë sa unë marr atë që jam premtuar. Mund të paguhen nga 100-700 euro për një natë në shtrat. Por ka edhe nga ata që zgjedhin të mbajnë njërën për vete për disa kohë dhe shumat që jepen janë marramendëse. Kanë krijuar dhe lidhje”, -tregon A.

Ajo thotë se mban disa vajza të përhershme për këtë punë edhe nëse të rejat nuk pranojnë, janë ato që dalin gjithmonë. Këta meshkuj janë zakonisht mbi 35 vjeç. Njerëz të biznesit, të politikës dhe televizionit. Po. Dhe të martuar. Por ata kanë para. Para që i shpenzojnë pa ngurrim për një natë feste në ndonjë klub në kryeqytet apo ndonjë bar blloku. Punonjësit e këtyre vendeve, janë po ashtu njohës të mirë të këtij cikli. Një punonjës i PR-të të një klubi nate në Tiranë, E., tregon për Gazetasi.al se aty, në zonën VIP siç e quajnë, vendosen vajza të veshura bukur dhe sensuale për të tërhequr pikërisht këta burra të pasur.

“Janë vajza që mund të kenë ardhur më parë dhe unë kam ruajtur kontaktet ose shoqja e një shoqeje. Ne i marrim dhe i vendosim në zonën VIP si atraksion për këta meshkuj. Shishe të shtrenjta alkooli që fillimisht i paguajmë ne, e më pas nga burrat që shkojnë atje”. 27 vjeçari thotë se ato nuk i kalojnë të 20-tat, shpeshherë ka edhe gjimnaziste, por kjo merret vesh më vonë. Klubet synojnë të tërheqin sa më shumë klientë të pasur. “Janë ata që e mbajnë klubin”. Pjesa më qesharake është fakti se këta burra e dinë se sa idiotësi është të shpenzosh aq para për një natë dhe ta bësh përsëri netët e tjera. “Ata duan shumë të duken dhe t’i tregojnë të tjerëve në të njëjtën are që nuk i kanë problem shumat e mëdha, se fundja kanë në krahë disa 19-20 vjeçare”,-tregon E. Këto të reja, janë shumicën e rasteve nga rrethet që janë shpërngulur në Tiranë, larg familjeve. “Si duket puna dhe shkolla janë vështirë për tu bërë njëkohësisht dhe ato zgjedhin një burim të ardhurash më të lehtë dhe argëtues njëkohësisht”, -thotë PR-i i klubit me ironi. Por, kjo nuk është përherë e vërtetë. Një 22-vjeçare nga Tirana, e shkëputur tashmë nga kjo botë, por jo nga modelingu, thotë për Gazetasi.al se ishte periudha më e zymtë e jetës së saj.

“Më tërhoqi pas vetes një shoqe që e njoha në gjimnaz. Herët e parë më pëlqeu shumë të dilja çdo fundjavë pa shpenzuar e të merrja dhurata të mira, por ndërgjegjja më vriste. Pas ca kohësh, sa herë kthehesha në shtëpi qaja se e dija që isha gabim. Të nesërmen nuk bëja dot asgjë nga lodhja dhe alkooli. Mu çrregullua i gjithë itinerari im natyror dhe ai që supozohej të kishte një 18-vjeçare”,-shprehet e reja. Ajo thotë se nuk e përdori kurrë trupin për përfitime monetare dhe nuk e kupton se si vajzat mund ta bëjnë pa asnjë problem me veten. A., që iu fut këtij tregu sepse ishte mësuar me një stil jetese të shtrenjtë, thotë se shumica e vajzave e kërkojnë vetë këtë gjë. Duan dikë që t’i paguajë qejfet dhe nevojat bazike të tyre.

“Me ka ndodh shumë herë të më thonë vetë ‘hë na gjej një’. Por, puna është se janë disa standarde për t’u mbushur që shpeshherë nuk i kanë.”

Këto vajza përfundojnë në 70% të rasteve në shtrat me meshkujt që njihen “rastësisht”, por që të dyja palët e dinë që janë njohur me strategji dhe disiplinë disa ditore nga pas.

“Ne kemi ca rregulla”,-thotë duke qeshur A,-“Vajzat nuk duhet të sillen si të pavarura, kjo nuk i pëlqen një mashkulli që ka para. Ato nuk duhet as të mbushin gotat e tyre. Duhet të vishen gjithmonë seksi, por pa e tepruar. Dhe sigurisht nuk duhet te kërkojnë kurrë asgjë.”

Në fund të bisedave me njerëz të eskortës që nuk pranojnë ta quajnë ashtu, mund të kuptosh se më shumë se sa fizike, qëllimi është më i thellë, për njërën palë të paktën. Burra që e kanë konsumuar rininë e tyre duke u mundur të krijojnë burime të qëndrueshme te ardhurash që gjenden përballë dëshirave rinore dhe moshës. Për ta një vajzë e re dhe dalje të shtrenjta janë status. Pala tjetër janë vajzat që duan para tani për tani sepse kanë kohë që të rimendojnë jetën e tyre. Ato nuk kanë para, por janë në kërkim të jetës së shtrenjtë, sepse valuta janë vetë ato./Gazeta Si/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme