Google ADS

Rinas: Organizatorët e grevës shantazhuan vartësit që nuk pranuan të mbyllin kullën

00:16 | 11 Prill 2021
Trina Galanxhi

Gjykata penale e Tiranës la në burg dy nga tre kontrollorët, Armando Fezgën dhe Muhin Mezinin. Ndërsa Flora Ndrecën e la në arrest shtëpie për shkak se ka fëmijë të mitur.

Por ndaj saj prokuroria ka provën më të fortë. Flora Ndreca, në dosjen që Top Channel disponon rezulton se ka kërcënuar një prej kontrollorëve të Rinasit, Kujtim Malkon duke i thënë që ai nuk është burrë që nuk i bashkohet grevës së tyre dhe nuk plotëson formularin e paaftësisë në punë. Malko e ka kundërshtuar dhe në debat e sipër i ka thënë Ndrecës të zbresë nga kulla ose përndryshe do ta hedhë.

Në një tjetër mesazh, në date 7 prill, Ndreca i shkruan shtetases Jona Kotoni se kulla është bloze dhe se i kanë bërë lavazh Kujtimit pasi ai nuk ka pranuar paaftësinë e përkohshme në punë nga frika por që në fund e kanë bindur.

Gjithçka që prokuroria ka në dorë ka dalë nga celularët që iu sekuestruan kontrollorëve ditën e shoqërimit të tyre dhe marrjes në pyetje. Kujtojmë se në mesazhet e grupit të whatsappit mes tyre ka pasur edhe urdhër për mbylljen e kullës së kontrollit të trafikut ajror. Po ashtu edhe në deklarimet e dhënë përpara oficerëve të policisë gjyqësore është arritur të provohet nga organi i akuzës se Fezga, Ndreca dhe Mezini kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë në punë.

Kjo shkaktoi pasoja me mbylljen e kullës dhe aeroportit të Rinasit. Pas seancës së kësaj të shtune, njëri prej avokatëve të të arrestuarve, Rezart Kthupi u shpreh me gjuhë ironike: “Sot është një ditë e mrekullueshme. Sot dënuam puçistët dhe pengmarrësit e aeroportit të Rinasit.”

Megjithatë pritet që avokatët të apelojnë vendimin e dhënë nga gjykata penale për t’iu hequr masën e sigurisë 3 kontrollorëve. Hetimi vijon nga ana e prokurorisë së Tiranës për të parë nëse ka persona të tjerë të përfshirë në situatën e rëndë që u krijua në Rinas./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme