Dëshira e shqiptarëve për të ikur është rikthyer sërish e fortë në pjesën e parë të këtij viti, teksa mes krizës së tejzgjatur politike, njerëzit nuk duket se po shohin dritë për të ardhmen e tyre brenda vendit.
Të dhënat e fundit paraprake të publikuara nga AESO, Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilit, dhe të përpunuara nga Monitor, bëjnë të ditur se në 6 muajt e parë të vitit kishte 10,439 kërkesa për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm me 29.3%. Vetëm në qershor kishte gjithsej nga Shqipëria 1,787 aplikime, nga të cilat 1,576 ishin për herë të parë dhe 211 ishin aplikime të përsëritura. Në raport me vendet e tjera të Ballkanit, shqiptarët mbajnë rekord në dëshirën për të ikur.
Nga Serbia kishte 352 aplikime në total, nga Maqedonia e Veriut 192, nga Bosnja 122, nga Kosova 273 dhe nga Mali i Zi kishte vetëm 19 aplikime.Në vitin 2015 u konstatua një rritje e ndjeshme e kërkesave për azil nga shqiptarët, duke arritur në total në rreth 69 mijë, nga 17 mijë vitin e mëparshëm.
Më pas numri i tyre erdhi duke u ulur gradualisht, për të arritur në 19 mijë në vitin 2018.
Por, muajt e parë të 2019-s po flasin për një rigjallërim të fortë të emigracionit, në një sinjal që duhet të shërbejë si alarm për politikëbërësit, që ta marrin seriozisht këtë dukuri dhe të kthejnë shpresën për të ardhmen e vendit.
Një studim i fundit i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale gjeti se 70% e të rinjve që studiojnë në universitetet shqiptare kanë për qëllim të largohen nga vendi.
Profili i ri i emigracionit pas liberalizimit të vizave ka përfshirë të gjitha grupmoshat e popullsisë, në të gjitha qytetet e vendit, duke e çuar drejt zbrazjes së shpejtë, por së fundmi, stafet e mirëkualifikuara që punojnë në kompani me vlerë të shtuar dhe paga të larta.
Në vitin 2007, rreth 40% e personave me arsim të lartë donin të largoheshin nga vendi. Në vitin 2018, kjo tendencë është rritur me 13 pikë përqindje, pasi 53.7% e personave me arsim të lartë kanë pohuar se po planifikojnë të largohen nga vendi.
Shqiptarët refuzohen
Shqipëria përmendet në raportin e AESO si një nga vendet që ka ndikuar në rritjen e kërkesës nga shtetet që kanë akses të udhëtojnë pa viza në Shengen në gjysmën e parë të vitit, së bashku me Gjeorgjinë. Kërkesat për azil janë të larta nga shqiptarët, ndonëse refuzimet për to janë të larta, teksa vendi ynë konsiderohet si i sigurt dhe për më tepër që është në proces integrimi për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Në qershor, nga 1700 vendime për herë të parë që u morën për aplikimet e shqiptarëve, 94% ishin negative, një nga normat më të larta të refuzimeve në botë. Për periudhën janar-qershor kishte gjithsej 10,758 refuzime për aplikimet e qytetarëve shqiptarë. Në total jane dhe 11.3 mijë raste që janë ende pezull.
Kërkesat për azil në BE në gjysmën e parë 2019 rriten me 10%
Përafërsisht 337.200 aplikime janë kryer në total në BE + 1 në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, me rritje 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas raportit të ESAO.
Në qershor, qytetarët e Sirisë, Afganistanit dhe Venezuelës vazhduan të paraqesin më së shumti kërkesa për azil, ndonëse në rënie në krahasim me muajin maj.
Në mënyrë të ngjashme, qytetarët nga Iraku, Kolumbia, Pakistani, Shqipëria, Turqia, Nigeria dhe Irani gjithashtu paraqitën një numër të konsiderueshëm aplikimesh, por në rënie në raport me majin; kjo ishte veçanërisht e vërtetë për nigerianët (- 30%) dhe iranianët (- 25%). Sidoqoftë, për pjesën më të madhe këto shtete kanë paraqitur më shumë aplikime deri më tani në 2019 në krahasim me gjysmën e parë të 2018; kjo ishte më e dukshme për shqiptarët, turqit, iranianët dhe palestinezët.
Shtetasit e vendeve të përjashtuara nga kërkesat për viza kur hyjnë në zonën Shengen kanë shënuar një numër në rritje aplikimesh. Aplikimet nga ky grup arritën një rekord të ri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, duke zënë rreth 27% të të gjitha aplikimeve të paraqitura në BE +; kjo peshë ishte vetëm 18% në të dy gjashtëmujorët e e vitit 2018.
Rritja u nxit nga numri i lartë i aplikantëve nga vendet latino-amerikane, por edhe nga Gjeorgjia dhe Shqipëria./Monitor/
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj dy të dy...
Zelensky thotë se kurrë nuk ka pasur marrëveshje të arritur ...
Osmani: Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngus...
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...