Rikthehen temperaturat e larta mbi 41 gradë celsius

15:07 | 1 Gusht 2017
Arbresh.info

Nëse keni menduar që pushimet t’i kaloni në gusht, moti është në favorin tuaj.

Sipas sinoptikanes Lajda Porja, temperaturat do të vijojnë të jenë të larta edhe gjatë këtij muaji, të cilat do të kulmojnë gjatë të martës dhe të mërkurës me vlera deri në 41°C.

Porja shtoi se rritja e temperaturave gjatë natës do të sjellë mëngjese dhe mbrëmje të nxehta.

“Piku i të nxehtit e marta e mërkura”

“Vijon problematike situata termike. Parashikohet që dita e sotme dhe nesër të kemi edhe kulmin e temperaturave, të cilat do tejkalojnë dhe 40 gradë. Qytetet problematike do jenë Shkodra, Elbasani, Fieri, Kuçova, Gjirokastra e Lushnja. Në mesditë vlerat priten nga 38 deri në 40 apo edhe mbi 40 gradë.
Pritet që nga nesër e deri në fundjavë të kemi rritje të temperaturave minimale dhe netët do jenë të vapshme pasi temperaturat do ta kalojnë në shumë qytetet të ultësirës perëndimore vlerën 20 °C.

Fundjava sjell rënie të temperaturave duke bërë që temperatura maksimale të jetë 38-39 gradë celsius në qytetin e Gjirokastrës. S’përjashtohet që të kemi temperatura edhe 35 gradë, por temperaturat ekstremisht të larta do të jenë gjatë kësaj jave”, tha sinoptikania Lajda Porja.
Porja shtoi se pas datës 10 gusht temperaturat do të pësojnë ulje, por vijon mungesa e reshjeve të shiut.

“Edhe ky muaj parashikohet të jetë relativisht i thatë, do kemi shumë pak reshje edhe gjatë 10 ditëshit të parë do jenë të fokusuara në zonat malore me rrebeshe afatshkurtër në Lindje dhe Juglindje të vendit”, shtoi ajo.

Sinoptikanët këshillojnë që gjatë këtyre ditëve të shmanget qëndrimi në diell gjatë orëve të pikut, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit./Shqiptarja.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme