Rikthehen skedinat, Rama: Kanë lulëzuar në të zezë, bastet online janë të pandalueshëm

21:55 | 31 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Ka nisur sot dëgjesa e qeverisë me grupet e interesit për rikthimin e basteve sportive. Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se prej disa muajsh ka patur një presion pozitiv.

Kreu i qeverisë sërish mbrojti mbylljen e basteve disa vite më parë, duke thënë se ishte vendim i drejtë dhe i duhur.

“Kjo ftesë është rezultat i një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana juaj që keni përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizmin e basteve sportive.

E kemi ndjekur këtë debat që keni hapur, ministrja e Arsimit dhe Sportit ka bërë komunikime me ju për tju dëgjuar nga afër shqetësimin, por edhe pretendimet tuaja. Padyshim që këtu bëhet fjalë për një sasi potenciale të ardhurash që do të ishin shumë të vlefshme për aktivitetin sportiv, qoftë për federatat e shumë sportit qoftë për FSHF. Kemi një kontekst i cili duhet kuptuar dhe për të cilin unë do them dy fjalë.

Ne vendosëm të ndalojmë lojërat e fatit duke pasur parasysh një situatë dramatike me pafundësinë e sallave të bingove dhe atyre makinetave,  një shqetësim social për më të vegjlit, por edhe me situata dramatike të katandisura deri në tragjedi”, tha Rama.

Rama deklaroi se gjatë kohës që kanë qenë të palejuara, ka “lulëzuar” aktiviteti në të zezë nga organizatorë të cilët janë të skeduar si profile të larta kriminale.

Kryeministri shpjegoi se ka qenë e pamundur të eleminohej plotësisht vënia e basteve dhe se paratë që fiton krimi i organizuar mund të administrohen nga shteti dhe të investohen për ambjentet sportive.

“I kemi dhënë një shumë prej 5 milion Komiteti Olimpik, por Fideli thotë: Po vitin tjetër? Nëse ne i japim çdo vit nga buxheti 5 milion I bie ta heqim nga diku tjetër. E kemi hequr, por arsyetimi bën sens. Pse mos ia heqim nga duart atyre që shumë më tepër se 5 milion i qarkullojnë, nuk paguajnë asnjë taksë dhe ushqejnë të keqen.

Reflektimi i fundit është që kemi bërë shumë përpjekje, por dua t’ia jap fjalën zv.drejtorit të policisë se ka qenë një nga pikat që kemi diskutuar intensivisht dhe drejtori ka investuar shumë me disa aksione të suksesshme, por e vërteta është që unë kam parë anën time, duke u konsultuar me disa prej kryeministrave të vendeve që i kanë të ndaluara komplet.

Përgjigjia e sinqertë ka qenë “online është i pandalueshëm” problematika e online në të zezë, është edhe në ato vende që për arsyet e tyre ideologjike, apo morale e kanë ndaluar.

Dhe në diskutime që kemi bërë me ekspertë të botës dixhitale është e pamundur të bllokohet sistemi.

Kjo edhe mua më bën të prirur për të qenë i hapur ndaj kësaj zgjidhjeje se është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga njerëz që shkelin ligjin dhe ku kanë figuruar aktivë dhe me përfitime të paarsyeshme elementë me profil të lartë në krimin e organizuar”, u shpreh kryeministri.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme