Google ADS

Riatdhesohen 100 shqiptarë, kërkuan azil në vendet e BE

21:40 | 16 Janar 2019
Trina Galanxhi

Pasditen e sotme janë riatdhesuar në vendin tonë 100 qytetarë shqiptarë nga Franca dhe Gjermani të cilët kishin kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian.

Në momentin e mbërritjes në Rinas, e pranishme ishte edhe zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda, e cila bëri apel që qytetarët shqiptarë të mos aplikojnë për azil të paligjshëm në vendet e BE-së, pasi shanset për ta përfituar janë zero. Ajo ka sqaruar se e drejta për të migruar i përket çdo personi, por vetëm nëpërmjet procedurave normale, ligjore të pranuara nga të gjitha vendet demokratike.

“Si zëvendësministre e Brendshme mendoj se kam për detyrë t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos aplikojnë dhe të mos udhëtojnë apo migrojnë drejt vendeve të BE-së, me qëllimin e vetëm për të kërkuar azil. Duhet të kuptojnë edhe një herë sepse kërkesa për azil është një kërkesë, e cila nuk mund të pranohet nga vendet e BE, për shkak se Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra do të thotë është një shtet me të gjithë standardet, për një jetesë normale, një shtet demokratik, me një qeverisje demokratike dhe shtetasit shqiptarë kanë shanse zero për t’u pranuar kërkesat për azil.

Gjithashtu dëshiroj t’u bëj me dije të gjithë shtetasve shqiptarë përsa i përket legjislacionit të vendeve të BE-së, që ndoshta deri pak kohë më parë ka qenë pak “bujar” në lidhje me kërkesat e shqiptarëve për azil, ky legjislacion tashmë në Gjermani ka ndryshuar, madje do të ndryshojë prapë. Legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të  kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë.  

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën. Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh zv/ministrja e Brendshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme