Reuters: Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociatave, Shqipëria jo

13:15 | 15 Qershor 2019
Arbresh.info

Maqedonia e Veriut ka gjasa të fitojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për të nisur bisedimet për anëtarësim më vonë gjatë këtij viti, ndërsa Shqipëria përballet me kundërshtimin e Francës, Gjermanisë dhe Holandës, shkruan agjencia e lajmeve Reuter në artikullin e saj me titull: Maqedonia e Veriut në rrugën e hapjes së negociatave, por jo Shqipëria.

Pavarësisht retorikës së Bashkimit Evbropian se blloku ka nevojë të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të forcuar rrugën evropiane dhe për të mënjanuar ndikimin rus dhe kinez, ndjenja anti-emigracion ka ngritur dyshimet në disa vende veriore të Bashkimit Evropian.

Të mbështetur nga një numër qeverish të Bashkimit Evropian dhe nga Komisioni Evropian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kishin shpresuar se ministrat për Europën të bllokut do t’iu hapnin rrugën bisedimeve gjatë një takimi javën tjetër në Luksemburg. Kjo do ti hapte rrugën për aprovim nga liderët e BE-së në samitin e Brukselit më 20-21 qershor.

Por asnjë vendi nuk do ti jepet drita jeshile, janë shprehur diplomatët dhe zyrtarë të BE-së për Reuters, edhe pse 13 vende të BE-së përfshirë Italinë, Poloninë dhe presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Komisioni kanë bërë thirrje publikisht për nisjen e negociatave.

Mundësia e fundit është arritja e një marrëveshjeje mes qeverive të vendeve të BE-së në Shtator, por vetëm për Maqedoninë e Veriut e cila gjithashtu pritet ti bashkohet NATO-s në 2020.

“Maqedonia e Veriut ka një shans të mirë për të hapur negociatat duke marrë parasysh marrëveshjen historike për çështjen e emrit. Ndërsa Shqipëria është një problem i madh për disa qeveri. Nuk duket shumë premtuese”-është shprehur një zyrtar i lartë i BE-së. E konsideruar si një nga vendet më të korruptuara të Europës, sipas Transparency International, Shqipëria e cila tashmë është anëtare e NATO-s, ka bërë përparim të kufizuar vetëm në luftën kundër pastrimit të parave, thonë zyrtarët e BE dhe SHBA për Reuters, pavarësisht largimit nga detyra të disa gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar./balkan web

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme