Reshje të dendura bore në Dibër, vështirësi në qarkullim

08:25 | 30 Nëntor 2021
Përparim Bublaku

Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë Qarkun e Dibrës në orët pas mesnatës. Bora me intensitet të lartë ka arritur trashësinë 15 cm në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella në lartësi mbi 800 metra trashësia shkon deri në 35-40 cm.

Situata rrugore është më problematike në rrugët e brendshme të qytetit të Peshkopisë, ku rrugët nuk janë pastruar dhe lëvizin me vështirësi kryesisht me fuoristrada. Në rrugë nuk ka dalë asnjë mjet borëpastrues.

Sipas të dhënave të deritanishme, rruga Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë. Peshkopi – Draj Reç – Kukës kalimi i vështirë deri në Zall Reç më tej drejt Ujmishtit e bllokuar.

Zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës fshatrat e Sllovës, Reçit, Luznisë janë pa komunikim me qytetin.

Në rrethin e Bulqizës reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët dhe trashësia në qytetin e Bulqizës shkon në 5 cm. Nuk ka probleme në rrugët e qytetit. Akset Qafa e Buallit – Krastë dhe Ura e Çerenecit – Librazhd kanë kaluar mjetet borëpastruese dhe kalimi bëhet normal deri tani.

Aksi kombëtar Peshkopi – Tiranë janë në punë 5 mjete borëpastruese dhe kalimi bëhet pa probleme.

Është bllokuar edhe segmenti nga hyrja e tunelit të Murrizit, i gjithë bay-pasi deri në Xibër Murrize, segment i rrugës së Arbrit. Në këtë aks po punojnë 2 mjete borëpastruese, por qarkullimi ende nuk është bërë i mundur.

Policia rrugore kërkon nga drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Tirana drejt Dibrës, të vendosin goma dimërore dhe të përdorin zinxhirët. Për momentin policia po monitoron segmentin dhe nuk lejon qarkullimin, duke e devijuar atë në rrugën e vjetër. /tvklan.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme