Reportazhi për Shqipërinë: Vlora, Miami i Mesdheut

17:58 | 15 Korrik 2019
Arbresh Info

Gazetarja Raffaella Serini i kushton një artikull, të botuar në faqen  e revistës prestigjioze “Vanity Fair” për bukuritë  e  Shqipërisë dhe arsyet  se pse turistët e huaj duhet  të kalojnë pushimet në vendin tonë.

Ajo e krahason Vlorën me Miamin e SHBA-së, Tiranën si një qytet të gjallë dhe Butrintin si një park arkeologjik që gëzon respekt. Gazetarja italiane i  fton të gjithë  turistët e huaj  që ta vizitojnë Shqipërinë.

“Një vit më parë, Shqipëria ishte një bast i fituar. Këtë vit mund të jetë një fitore e sigurt. Të kthehesh për vitin e dytë radhazi  është një garanci, kjo është përgjigja me e saktë për ata që pyesin vazhdimisht: Ke qenë në Shqipëri, si është atje?

Të mendosh që një verë më parë, nuk ekzistonte as “Lonely Planet” që të jepte garanci mbi Shqipërinë (vetëm një libër shumë i mirë i botuar nga “Morellini”), edicioni i parë italian i kësaj guide të famshme udhëtimesh doli vetëm në maji të vitit 2018.

Thënë këtë, mes shumë rrugëve në një udhëtim krejtësisht origjinal, bazuar në sugjerimet e atyre që kanë qenë më parë dhe konsultimet e forumeve të udhëtimeve, surprizat nuk kanë munguar. Sepse asgjë nuk të linte të parashikoje deri në fund atë që do kisha zbuluar, bukurinë e peizazheve, ende të egra dhe të pandotura, detin e shkëlqyeshëm, mikpritjen e njerëzve, si dhe çmime shumë të ulëta.

 

Sigurisht, elementi që tërheq më shumë nga Shqipëria është deti, me siguri që ai nuk do ju zhgënjejë. Megjithatë, nuk është i vetmi motiv për të kaluar pushimet këtu. Tirana është një kryeqytet plot gjallëri dhe interesant, Vlora është si Majemi i Mesdheut (harrojini imazhet e atyre varkave që në vitet ’90 niseshin nga këtu), Butrinti është një park i vërtetë arkeologjik.

Më pas, mbi të gjitha, janë njerëzit. Që ende mbajnë dorën në zemër për të falënderuar. Në rast se porosit një kafe në lokalin e tyre, por nëse ekspresi nuk punon, dalin dhe e marrin në lokalin në krah. Jo të gjithë flasin italisht sikurse pritet (por flasin edhe anglisht). Por ata që dinë, shpesh të thonë: “E kam mësuar duke parë Italia Uno!”.

Një herë, pronari i një bari ku qëndrova për të ngrënë mëngjes nuk fliste anglisht dhe nuk kuptonte çfarë doja të porosisja. Kështu që thërriti djalin për ta ndihmuar në përkthim. Djali, nuk kishte mbushur ende tetë vjeç (në faturën që më dorëzoi, kishte përkthyer me laps çdo gjë që kisha porositur…).

“Për sa i përket ushqimit, gatimi në Shqipëri është i shkëlqyer (madje edhe pica dhe kafe ekspres).

Përbërësit  janë të freskët dhe të gjithë ata që sot operojnë në sektorin e restoranteve, me shumë mundësi kanë punuar, si emigrantë, në restorantet më të mirë në Itali dhe Europë, kështu që kanë sjellë në atdhe eksperiencën e tyre dhe përzierjen më të mirë të gastronomisë.

Në një lokal pak më larg Vlorës, njoha Vilin, një djalë që gjatë verës menaxhon hotelin e tij të vogël shumë afër  detit, ndërsa në dimër është barist në një hotel me pesë yje në Luksemburg. Nëse do ju thoja se ishte “Spritz-i” (koktejl me verë) më i mirë që kam provuar ndonjëherë jashtë kufijve të Italisë, a do më besonit? Epo ju them se duhet”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme