RENEA zbulon arsenal masiv të armëve në Tiranë

17:52 | 1 Prill 2021
Arbresh.info

Forcat RENEA bastisën gjatë orëve të para të ditës së sotme disa banesa në Tiranë duke sekuestruar një sasi të madhe armatimi.

Policia shqiptare njofton se gjatë këtij operacioni janë arrestuar 5 persona dhe shoqëruar 20 të tjerë, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Krahas armatimit, policia ka sekuestruar edhe 7 makina, 2 prej të cilave janë të blinduara.

Operacioni sipas policisë u krye në 18 baza ku mbahej armatimi në fjalë, ndërkohë që u kap edhe një person, i cili kryente modifikimin e armëve që përdoreshin nga një grup kriminal.

“Po në kuadër të operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme