Komisioni Europian nuk doli jashtë kornizës së pritshmërive dhe rekomandoi, ashtu siç shpresohej, çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shqipëria ka vazhduar të ketë progres dhe e ka treguar vendosmërinë e saj për të avancuar në agjendën e BE-së; ka prodhuar rezultate të prekshme e të qëndrueshme, e veçanërisht për sa u takon kushteve të paracaktuara në konkluzionet e Këshillit qershorin e vitit të kaluar për hapjen e negociatave të pranimit, ndonëse – siç theksohet aty, – në një atmosferë politike vazhdimisht të polarizuar.
Teksa prezantoi paketën vjetore të zgjerimit, komisioneri Johannes Hahn nënvizoi se, që të mbetet i besueshëm, Bashkimi Europian duhet t’iu përmbahet angazhimeve të veta dhe t’iu përgjigjet qartë, pozitivisht vendeve kur i përmbushin detyrimet e tyre.
“Shqipëria ka çuar përpara reformat, e ka veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne duhet ta njohim meritën aty ku ajo ekziston”, është shprehur ai.
“Për të dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Komisioni ripërsërit rekomandimin drejtuar Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Sigurisht, ekzistojnë ende çështje serioze në rajon për të cilat nevojiten rezultate të qëndrueshme, duke nisur nga sundimi i shtetit ligjor dhe çdo aspekt i tij. Së dyti, qëllimi kryesor i politikës europiane të zgjerimit është të vazhdojë të eksportojë stabilitet. Ne nuk mundemi dhe nuk do të lejojmë importin e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe destabilitetit, prandaj dhe ka një nevojë urgjente që Ballkani Perëndimor të bëjë më shumë progres drejt pajtimit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e bashkëpunimit rajonal. Sfida e tretë e rëndësishme është ekonomia, për përmirësimin e së cilës nevojiten reforma dhe kontroll mbi papunësinë”, tha Hahn.
Hahn këmbënguli se raportprogresi i bërë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është mjaft objektiv, ndërsa sqaroi se procesi i çeljes së negociatave do të kërkojë vite deri në anëtarësim. Eurodeputeti i Partive Popullore Europiane dhe kryetari i grupit të punës së Komitetit të Çështjeve me Jashtë në PE për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan e mbështeti rekomandimin e Hahnit.
“Mendoj se, si Maqedonia e Veriut, ashtu dhe Shqipëria e meritojnë vërtet çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Nuk ka asnjë dyshim që është shënuar progres edhe, duhet ta themi se, sigurisht mund të shohim edhe më shumë rezultate e një lëvizje edhe më intensive përpara. Në Shqipëri kemi parë një situatë mjaft të tensionuar politike, vendi do të shkojnë në zgjedhje në fund të qershorit dhe është në dorën e elitës politike të marre një vendim që i shërben popullit, sepse populli i Shqipërisë e meriton vërtet”, tha Kukan.
Rekomandimin e përshëndeti edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe sukseseve të tyre. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatimi mbresëlënës i Reformës në Drejtësi ka sjellë rezultate të prekshme. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Nëse nuk përgjigjemi në mënyre objektive ndaj progresit, kjo do të shkurajonte reforma të tjera. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë bërë pjesën e tyre të punes, tani pjesa tjetër i mbetet BE-së”, tha Mogherini.
Në pjesën e kushtuar Shqipërisë, raporti thekson se partitë opozitare, shumica e të cilave i kanë dorëzuar mandatet, duhet të riangazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të kenë angazhim në një konsensus më të gjerë europian. Implementimi i Reformës në Drejtësi përshkruhet aty si i qëndrueshëm, duke rezultuar me një progres përgjithësisht të mirë, e duke hedhur themelet e një forcimi të qenësishëm të sektorit dhe konsolidimit të pavarësisë, paanësisë, profesionalizmit e përgjegjësisë./TCH
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
Aksident mes dy veturave në Sllatinë, s’ka të lënduar
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton