Google ADS

Reforma zgjedhore mban peng integrimin e Shqipërisë në BE

15:48 | 2 Qershor 2020
Arbresh Info

Ngërçi për reformën zgjedhore po mban peng edhe negociatat me Bashkimin Europian. Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi tha se korniza e negociatave do të paraqitet javën e ardhshme në Këshill, ndërsa iu bëj thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje.

Komisioni Europian ka shtyrë për javën e ardhshme dërgimin në Këshillin e BE-së të kornizës së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Shkak për këtë duket se është ngecja e bisedimeve për reformën zgjedhore në vend dhe shpresa e diplomatëve europianë për t’i shtyrë palët drejt një konsensusi brenda kësaj jave.

Gjatë një konference në Bruksel, komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi e quajti thelbësore përmbushjen e reformës.

“Unë iu bëj thirrje të gjitha palëve, brenda dhe jashtë parlamentit, që të vazhdojnë të përpiqen për një marrëveshje. Ky është një moment i rëndësishëm që kërkon rezultat dhe do të ishte do të ishte për të ardhur keq nëse për ta humbur momentin. Unë shpresoj për një marrëveshje: kjo është thelbësore,” tha Várhelyi.

Përveç diplomatëve në Tiranë që po përpiqen të gjejnë një kompromis mes palëve për reformën zgjedhore tani edhe Brukseli zyrtar kërkon përfundimin e saj.

Korniza e negociatave, dokumenti që përcakton mënyrën se si do të zhvillohen bisedimet e pranimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, pritej që të prezantohej më 3 qershor, duke pasur parasysh 31 majin si afatin përfundimtar për zgjedhoren.

Ky dokument, pasi t’i kalojë Këshillit të Bashkimit Europian, duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare dhe më pas varianti përfundimtar të miratohet nga samiti i udhëheqësve të bllokut në tetor.

“Korniza e negociatave do të prezantohet brenda disa ditësh, me shumë mundësi javën e ardhshme shpresojmë ta dërgojmë në tryezën e Këshillit. Ndërsa pjesa tjetër e pakos së zgjerimit do të prezantohet nga Komisioni në muajin tetor.”

Me gjithë përparimet e bëra dhe nxitjen nga Brukseli, Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushte, midis të cilave edhe reformën zgjedhore për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat.

Kreu i opozitës Lulzim Basha ishte i pari që reagoi në Tiranë pas deklaratës së komisionerit Várhelyi. Basha thekson se opozita është gatshme ta përmbyllë procesin me garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Të ngjashme