Kryeministri Edi Rama bëri publikisht të shtunën një krahasim mes dekretit të depozituar nga Shqipëria në OKB në vitin 1990, për shtrirjen e ujërave territoriale deri në 12 milje detare dhe dekretit që miratoi Greqia më 25 dhjetor për shtrirjen me 12 milje detare në detin Jon. Sipas Ramës nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi është e njëjta gjë, por Levizja Vetëvendosje në Shqipëri thotë se ky krahasim nuk qëndron.
Sipas VV, në vitin 1990 dekreti i Shqipërisë nuk bëri zgjerimin, por ngushtimin nga 15 milje detare në 12 milje detare, për të qenë në linjë me Konventën mbi të Drejtën e Detit. Më tej, në përcaktimin e ujërave të saj territoriale Shqipëria ka përdorur si vijë bazë dheun e saj kontinental dhe ishullin e Sazanit që është brenda Gjirit të Vlorës që nuk ka përballë në hapësirën prej 12 milje detare as dheun kontinental e as ndonjë ishull të ndonjë shteti tjetër.
Në deklaratën e saj Vetëvendosje thotë se ndryshe nga dekreti i Shqipërisë në vitin 1990, dekreti i Greqisë ka bërë kësaj radhe zgjerimin e ujërave territoriale greke nga 6 në 12 milje detare. Këtë ekspansion në pjesën veriore të Detit Jon, Greqia po e bazon mbi ishullin e Korfuzit dhe disa ishuj pranë Korfuzit në Detin Jon, e jo mbi dheun kontinental të saj. Në të drejtën ndërkombëtare, dheu kontinental prevalon mbi dheun ishullor.
“Ishujt në veri të Detit Jon nuk është e thënë të marrin efekt të plotë për shtrirje të ujërave territoriale deri në 12 md, dhe as sa i përket zonës ekskluzive ekonomike që përllogaritet pas ujërave territoriale, sepse nuk kanë efekt të barabartë me dheun kontinental shqiptar. Nga mediat greke, publiku shqiptar ka mësuar se me dekretin e fundit Greqia i ka konsideruar të gjithë ishujt në veri të Detit Jon si një kompleks (një lloj arqipelagu), duke i dhënë këtij “kompleksi” të drejta të barabarta me dheun kontinental shqiptar. Një qasje e tillë e Greqisë është kontestuar nga shumë ekspertë shqiptarë publikisht në dhjetëra raste” – thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes që më pas akuzon kryeministrin Rama se nuk ka bërë asnjë transparencë mbi atë që po ndodh.
“Qeveria e Shqipërisë e ka për detyrim të kërkojë me urgjencë zbardhjen e plotë të koordinatave, hartave, vijave bazë e të tjera të dhëna që duhen bërë publike për këtë dekret të Greqisë. Deri më sot publiku shqiptar nuk ka parë asnjë dokument zyrtar ku mbështetet dekreti i Greqisë. Në një terr të plotë informativ, shqetësimi që ky zgjerim i Greqisë ndërhyn në ujërat territoriale shqiptare dhe më tej edhe e zvogëlon zonën ekonomike dhe shelfin kontinental që i takon Shqipërisë në Detin Jon, është shqetësim legjitim për çdo qytetar. Sakaq, kryeministri Rama ende nuk ka asnjë përgjigje për pyetjen pse Greqia nuk e ka bërë këtë ekspansion më herët” – akuzon Vetëvendosje që më pas ndalet edhe te procesi që do të nisin dy vendet në Hagë.
“Mosveprimi i qeverisë Rama për të bërë transparencë është një qasje antikombëtare, dhe nuk mund të mbulohet me deklarime se çështja do të shtrohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në Hagë, palët nuk do të mund të shtrojnë çështje për të cilat nuk bien dakord paraprakisht. Kryeministri Micotaqis dhe Ministri i Jashtëm Dendias, kanë deklaruar publikisht se në Hagë do shtrohen vetëm çështjet që lidhen me zonat ekonomike, por jo edhe zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë nga 6 në 12 md. Rama nuk i ka kundërshtuar kurrë këto deklarata. Nëse Shqipëria shkon në Hagë, pa bërë njëherë transparencë të plotë mbi dekretin e fundit grek, dhe pa përdorur të gjitha mekanizmat e ligjit ndërkombëtar (përfshirë Aneksin 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit) për shqyrtimin dhe kontestimin e këtij dekreti, atëherë Shqipëria rrezikon të humbasë edhe ujëra territoriale edhe zonë ekonomike në Detin Jon” – nënvizon Vetëvendosje.
“Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që merr rolin e avokatit të Greqisë e që shan të gjithë qytetarët që kërkojnë transparencë dhe trajtim të drejtë të çështjes. Nuk ka nevojë për një kryeministër që i jep të drejtë palës greke apriori, dhe që hesht kur pala greke tregon publikisht se ka mbi 6 muaj që bëhen negociata për këtë çështje, të cilat janë mbajtur të fshehta nga publiku. Kemi nevojë për një kryeministër që e mbron Shqipërinë nga politikat ekspansioniste të Greqisë dhe që respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Detin Jon. Në rast të kundërt, kryeministri bëhet kolaboracionist në këtë ekspansion grek, duke treguar se ai vetë është në mes të një tentative për tradhti kombëtare” – e mbyll Vetëvendosje.
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...