Google ADS

Reagon ministri i dorëhequr i Punëve të Brendshme

11:59 | 27 Tetor 2018
Arbresh.info

Më parë gjatë mëngjesit kryeministri Edi Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Kjo ishte një lëvizje e papritur e Xhafës, në kohën kur prej muajsh tashmë është vënë në shënjestrën e opozitës për vëllain e tij të arrestuar në Itali për trafik drogë.

Rama shkruan se vendin e lënë bosh nga Xhafaj do e marrë gjeneral Sandër Lleshi, i cili ka mbajtur postin e këshilltarit të kryeministrit për Sigurinë.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoj për kontributin e çmuar.

Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.

Ndërkohë edhe vetë ministri i dorëhequr ka reaguar në lidhje me arsyet që çuan tek vendimi.

Mesazhi i ministrit Xhafaj pas dorëheqjes nga detyra:

Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme.

Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve.

Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra.

Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe.

Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë.

Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme