Raporti: Votat u blenë në zgjedhjet e 2017-s

16:51 | 18 Mars 2018
Arbresh.info

Raporti për integritetin e zgjedhjeve për vitin 2017, që ndër të tjera mban edhe firmën e Pipa Noris, një prej eksperteve më të mira të sistemeve zgjedhore, e rendit Shqipërinë te vendet e moderuara sa i përket korrupsionit dhe shtrëngimit në zgjedhje.

Problematika e parë e zgjedhjeve shqiptare shënohet të jetë shitblerja e votave, e pas saj vjen politizimi i organeve zgjedhore. Ato cilësohen si çështje të vazhdueshme, që minojnë aspekte më të zhvilluara të zgjedhjeve, si procedurat e votimit.

Në vendet ku garat janë me integritet të moderuar, Shqipëria është krahas Bullgarisë, Nepalit, Bahamasit dhe Liberisë. Këto cilësohen si vende me një seri zgjedhjesh të rregullta, por problematikat që cënojnë drejtpërdrejt integritetin zgjedhor u zbresin pikët në mënyrë të konsiderueshme.

Lidhja e korrupsionit me shtrëngimin e votuesve në zgjedhje është tek abuzimi me financat politike. Ato sjellin një numër praktikash të këqija, ku më e dukshmja është klientelizmi, kur qytetarët shesin votën për përfitime materiale, si parà, dhurata, vende pune, toka apo favore.

Në të njëjtin rend janë abuzimi me burimet shtetërore, blerja e zgjedhjeve nga të pasurit, presioni që njerëzit të mos votojnë të lirë dhe mungesa e transparencës së llogarive financiare nga partitë dhe kandidatët.

Korrupsioni financiar dhe mbulimi mediatik janë fushat më negative. Në Shqipëri, një Komision i Reformës Zgjedhore është ngritur dhe ka marrë përsipër të japë zgjidhje për 3 problematikat kryesore, sipas prioriteteve të OSBE-ODIHR-it, duke nisur me shitblerjen e votës, administratën zgjedhore dhe rregulla të qarta për financimin e partive.

Çështja e fundit është aktuale në debatin politik në vend, për shkak të debatit që u hap pas publikimit të revistës “Mother Jones” për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike me Nick Muzin, e dyshimet që shkrimi investigativ ngre se pas “Biniada Trade” qëndrojnë kompani ruse.

Prokuroria po heton, ndërkohë pritet që javën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të publikojë raportin vjetor të financave të PD-së, e cila pretendon se nuk ka bërë shkelje ligjore dhe financiare.

Shtrëngimi për shitblerjen e votës është i fortë në shoqëritë e varfra, ku edhe joshjet materiale modeste, si dhurata të vogla të ushqimit ose veshjeve, mund të sjellin një ndryshim të sjelljes në votim. Referuar edhe të dhënave të raportit ndërkombëtar të perceptimit të korrupsionit, edhe ky për integritetin e zgjedhjeve thekson se korrupsioni elektoral është i lartë./Top-Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme