Google ADS

Rama: Vuçiç nuk është budalla, mos më përmend Albin Kurtin

00:56 | 21 Prill 2021
Trina Galanxhi

Kryeministri Edi Rama thotë se deklaratat e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç për zgjedhjet në Shqipëri ishin një “hakmarrje” e tij për hapjen e aeroportit të Kukësit.

“I ndoqa deklaratat e Vuçiç. Është shumë i mërzitur me aeroportin e Kukësit, dhe me ekspozimin e luftës çlirimtare. Tha që pas Bashës është Berisha? Po pse budalla është ai? Vetëm budalla nuk është. Ai u dha një pilulë atyre për të marrë një hak “të vogël” ndaj meje për aeroportin e Kukësit dhe atë ekspozitën atje” – tha Rama që shtoi se kjo është një politikë e Beogradit për të nxitur ekstremistë sidomos në Kosovë.

“E kanë bërë shpesh ata këtë, që bëjnë nga Beogradi identifikimin e njerëzve që u vijnë më përshtat politikës së tyre dhe i stimulojnë. Dhe njerëzit e tyre atje në Kosovë thonë “aaa meqë e shau Vuqiqi këtë, ky qenka heroi”. Dhe e mbajnë Kosovën peng atje duke stimuluar ekstremistë. Është e thjeshtë” – tha Rama, por mohoi që këtë teori ta kishte për Albin Kurtin.

“Nuk e kisha për Albin Kurtin. E kisha për traditën me të cilën vepron politika e Beogradit. Marrëdhënie me Vuçiç? S’kam pas komunikim kohët e fundit. Kam kohë që nuk kam folur. Marrëdhënia ime është po ajo. Nuk kam asnjë problem.

Mini-Shengenin e kam hedhur unë si ide i pari. Madje të parin fare e ka formuluar Fatos Nano, unë e rifuta në axhendë, nuk e pranoi asnjëri, ai i pari. Sepse mini-shengeni do të thotë heqje kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës, por sa ta marrin vesh ata të Kosovës do të kenë kaluar ca vite të tjera dhe do të ketë humbur kohë Kosova” – tha Rama që gjithsesi e hodhi një kunjë për Albin Kurtin që dialogun me Serbinë nuk e ka prioritet.

“Për mua e ardhmja e Kosovës pa kurajën dhe vendosmërinë për të përfunduar dialogun është e mjegullt, jo në sensin e lirisë që është e fituar, jo në sensin e shtetit që është i padikutueshëm, por në sensin e kapaciteteve që mund ta kishin ngritur Kosovën në një nivel tjetër në aspektin ekonomik dhe atë social” – shtoi Rama në intervistën e dhënë për Euronews.

I pyetur për deklaratën e Albin Kurtit që do të votonte “pro” bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Rama u shpreh hermetik për të mos folur për asnjë deklaratë të kryeministrit të Kosovës.

“Unë nuk e komentoj Albin Kurtin. Buk kam asnjë koment. Më fute Albin Kurtin në Bisedë, koment nga unë s’ka. Nuk kam asnjë koment për Albin Kurtin deri në 26 prill. Më tej pastaj mund të flasim. Nuk flas. Ncncncncncncnc… nuk flas. Nuk bie në atë kurth. Nuk flas” – e mbylli gojën Rama./lapsi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme